SHBA-ja dhe Kina po i drejtohen një “Lufte të re të Ftohtë”

Kryediplomati kinez, Uang Ji, tha dielën se raportet mes dy superfuqive botërore janë përkeqësuar për shkak të rezervave që Uashingtoni nuk heziton t’i shfaqë kundrejt Pekinit kur bëhet fjalë për çështje si koronavirusi, politikat tregtare, të drejtat e njeriut, Hong-Kongu apo shumë tema të tjera.

Ministri i Jashtëm i Kinës akuzoi SHBA-në se në mënyrë të përsëritur e sulmon Kinën politikisht.

“Përveç rrokullimës që ka lënë pas koronavirusi i ri, ka edhe një virus politik që po përhapet kudo nëpër Amerikë, dhe përdoret kurdoherë për të sulmuar e shpifur ndaj Kinës, nga politikanë që i shpërfillin faktet më bazale, duke shpikur gënjeshtra e konspiracione,” u shpreh kryediplomati, Uang Ji.

Shefi i politikave të jashtme kineze nuk iu referua ndonjë zyrtari të caktuar.

Por presidenti amerikan Donald Trump dhe Sekretari i Shtetit Majk Pompeo prej kohësh udhëheqin sulmet në lidhje me reagimin e autoriteteve kineze ndaj pandemisë apo pretendimin se virusi mund të jetë lëshuar aksidentalisht nga laboratori e për pasojë ka vrarë deri tani mbi 340 mijë njerëz në botë.

Ministri Uang Ji tha se vendi i tij është i hapur për hetimin e ngjarjes dhe apeloi për bashkëpunim me SHBA-në.

“Kina nuk ka asnjë qëllim t’i ndryshojë Shtetet e Bashkuara, e jo më t’i zëvendësojë. As SHBA-ja nuk mund ta ndryshojë Kinën po të dojë dhe as ta ndalë progresin historik të popullit tonë drejt modernizimit. Duhet të jemi vigjilentë se forcat politike amerikane po rrezikojnë raportet midis nesh duke na çuar drejt një Lufte të Re të Ftohtë,” theksoi zyrtari kinez.

Shefi i diplomacisë së Kinës foli edhe për raportet me Europën, duke shtuar se palët nuk kanë konflikte interesi mes tyre dhe ato dallime që kanë mund t’i zgjidhin nëpërmjet komunikimit konstruktiv.

6 maji shënoi 45-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kinës dhe BE-së.

SHKARKO APP