SHBA-ja dhe Rusia lënë Traktatin Bërthamor, frikë për garë të re armësh
Një marrëveshje e rëndësishme bërthamore, që eliminoi një klasë të tërë raketash, merr fund të premten, pasi Shtetet e Bashkuara dhe Rusia tërhiqen zyrtarisht nga traktati 31-vjeçar.
Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi është nënshkruar në vitin 1988 nga presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan, dhe udhëheqësi i Bashkimit të atëhershëm sovjetik, Mikhail Gorbachev, dhe i ka ndaluar të dyja palët të zhvillojnë dhe prodhojnë raketa me rreze nga 500 deri në 5,500 kilometra.
Uashingtoni ka thënë qysh vitin e kaluar se do të tërhiqet nga Traktati, duke e akuzuar Rusinë për mosrespektimin e tij. Moska ka mohuar se e ka shkelur.
Kritikët kanë paralajmëruar se tërheqja nga Traktati mund të çojë në garë të re armësh ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë – shtetit pasardhës të Bashkimit Sovjetik.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u bëri thirrje të dyja vendeve që të zgjasin Traktatin.
“Bota do të humbasë një frenë jetike në luftën bërthamore, nëse Traktati përfundon. Kjo me siguri se do të rrisë, jo zvogëlojë, kërcënimin që paraqesin raketat balistike”, tha Guterres.
Ky traktat dhe marrëveshja START-i i ri për reduktimin e raketave strategjike bërthamore, janë dy nga marrëveshjet bazë për kontrollin e armëve midis dy shteteve udhëheqëse në botë, njëherësh fuqi bërthamore.
START-i i ri do të përfundojë në fillim të vitit 2021, përveç nëse presidentët e SHBA-së dhe Rusisë vendosin ta zgjasin atë.
Zyrtarët e SHBA-së dhe NATO-s kanë akuzuar vazhdimisht Rusinë për zhvillimin e sistemeve të armëve, për të cilat thonë se shkelin Traktatin. Shqetësime konkrete ka për sistemin 9M729, ose SSC-8, i cili, sipas NATO-s, ka një gamë veprimi prej rreth 1,500 kilometrash.
Moska thotë se gama e 9M729 është nën 500 kilometra dhe e akuzon SHBA-në për prishjen e marrëveshjes.
Por, ka pasur edhe akuza dhe kundërakuza të tjera. Senatorët që kryesojnë komitetet kryesore në SHBA, ia hedhin fajin Rusisë.
Në një deklaratë të përbashkët më 1 gusht, senatori Jim Risch, kryetar i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë, dhe senatori Jim Inhofe, kryetar i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura, thanë se traktati do të përfundojë për shkak të “shkeljes së qëllimshme të Rusisë”.
Ish-lideri sovjetik, Gorbachev, i tha agjencisë ruse të lajmeve Interfax se vendimi i Uashingtonit për t’u tërhequr nga Traktati “e bën politikën globale të paparashikueshme dhe zhvillimin e saj kaotik”.
Ai u bëri thirrje të dyja palëve që “të përqendrohen në ruajtjen e START-it të ri si shtyllën e fundit të sigurisë strategjike globale”, por shtoi se “duke gjykuar nga deklaratat e zyrtarëve të administratës amerikane, e ardhmja e tij është e pasigurt”.
Më 1 shkurt, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kishte paralajmëruar se SHBA-ja do të tërhiqet zyrtarisht nga Traktati më 2 gusht.
Rusia ka njoftuar në mars se presidenti Vladimir Putin ka nënshkruar, po ashtu, dekretin për braktisjen e Traktatit.
Këto zhvillime vijnë në kohën kur komuniteti ndërkombëtar po përpiqet të gjejë mënyra se si t’i përgjigjet arsenalit në rritje të armëve bërthamore në Korenë e Veriut.
Disa fuqi botërore, po ashtu, po përpiqen të shpëtojnë një marrëveshje që kufizon programin bërthamor të Iranit, pas tërheqjes së SHBA-së, vitin e kaluar.