SHBA-ja e gënjeu publikun për luftën në Afganistan
Gazeta “Washington Post” ka publikuar një raport, të bazuar në dokumente konfidenciale të qeverisë amerikane, ku thuhet se tri administratat e Shtëpisë së Bardhë, kishin mashtruar publikun për mangësitë dhe dështimet në luftën 18-vjeçare në Afganistan. Raporti zbulon se lufta në të cilën janë vrarë 2.300 ushtarë amerikanë ka kushtuar gati 1 trilion dollarë. Rreth 400 zyrtarë të përfshirë në këtë çështje, të cilët janë intervistuar në kuadër të raportit, kanë shfaqur kritika që përfshijnë: strategjinë gjithnjë në ndryshim të Uashingtonit në Afganistan, mangësi në zhvillimin e një force efektive luftarake afgane, dështime për të mposhtur talibanët si dhe për të luftuar korrupsionin në qeverinë afgane.
“Ne nuk po e kuptonim në thelb Afganistanin, nuk e dinim se çfarë po bënim”, tha Douglas Lute, një gjeneral i ushtrisë, i cili shërbeu në Shtëpinë e Bardhë si udhëheqësi i luftës në Afganistan, gjatë administratave të ish presidentëve, Xhorxh Bush dhe Barack Obama. Intervistat ishin pjesë e një projekti nga Inspektori Special i Përgjithshëm për Rindërtimin në Afganistan.
Midis 938 dhe 978 miliardë dollarë janë shpenzuar që nga viti 2001 në Afganistan nga Departamenti i Mbrojtjes, Departamenti i Shtetit dhe Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, sipas Neta Crawford, një profesoreshë e shkencave politike dhe bashkë-udhëheqëse e Projektit të Kostove të Luftës në Universitetin Brown. Sipas dokumenteve, asnjë llogari gjithëpërfshirëse e qeverisë amerikane për shpenzimet e luftës nuk është kryer. Mes dokumenteve, Post ka arritur të shtjerë në dorë dhe memo nga ish-sekretari i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld në vitet 2001-2006, gjatë fazës së parë të luftës. Të gjitha këto të dhëna krijojnë tablonë e një ushtrie konfuze që nuk e dinte se kush ishin “djemtë e këqinj”, ku fshiheshin ata apo si t’i luftonin.
Mes intervistave është dhe një transkript i vitit 2015 që i përket ish këshilltarit të SHBA për Sigurinë Kombëtare, Michael Flynn, i cili mes të tjerave ngre pyetjen “Nëse jemi duke bërë një punë të mirë, pse duket sikur po humbim?” Personeli ushtarak gjithashtu përshkruan se si zyrtarë të lartë manipuluan të dhënat për t’u dukur sikur SHBA po e fitonte luftën, kur në fakt qindra ushtarë po vriteshin. Një nga dështimet e pretenduara për të cilën trupat ankoheshin më së shumti përfshinte dhe faktin se ata nuk e dinin pse ishin në Afganistan, për të luftuar terrorizmin apo për ta bërë këtë vend demokratik.