SHBA, Kudlow propozon “bono lufte” kundër COVID-19
Këshilltari i Lartë për Ekonominë i presidentit Donald Trump, Larry Kudlow, tha sot se ai mbështet propozimin për të shitur “bono lufte” për të financuar luftën kundër shpërthimit të koronavirusit të ri, sipas CNBC.
“Unë mendoj se është një ide e shkëlqyer. Natyrisht që kam biseduar me kolegët tanë për këtë, në lidhje me pjekurinë dhe normën e saktë. Për mua, kjo është një kohë, kur duhet të shesim bono, në mënyrë që të mblidhen para për përpjekjet e luftës, në këtë rast përpjekjet kundër pandemisë, përpjekjet për të mbështetur familjet, individët dhe bizneset”, tha Kudlow.
“Ky do të ishte një investim afatgjatë në të ardhmen e shëndetit, sigurisë dhe ekonomisë amerikane, kështu që nga këndvështrimi im, konsideratat teknike mënjanë, unë mendoj se koncepti është saktësisht i duhur”, theksoi këshilltari.
Nëse koncepti do të ketë qasje më të gjerë në Shtëpinë e Bardhë, kjo gjë është e paqartë.
Sekretari i Thesarit, Steve Mnuchin nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë në lidhje me këto “bono lufte” të mundshme.
Në vend të kësaj, ai tha se qeveria është e përqendruar në rritjen e likuiditetit duke zbatuar masën stimuluese prej 2,2 trilionë dollarësh që Trump nënshkroi muajin e kaluar.
Mnuchin në përgjithësi mbron pozicionin tradicional të Thesarit që emetimi i bonove duhet të jetë i rregullt dhe i parashikueshëm.