SHBA mbështet luftën për liri të protestuesve të Hong Kongut, reagon Kina

Kongresi amerikan kanë dalë në krah të protestave të Hong-Kongut për demokraci. Dy nisma të votuara nga ligjvënësit dënojnë dhunën e autoriteteve por edhe paralajmërojnë sanksione për zyrtarët. Kina kërcënon me kundërmasa të ashpra.

Kongresi amerikan ka shprehur unanimisht solidaritetin me protestat e Hong-Kongut.

Ligji “Për të drejtat e njeriut dhe demokracinë në Hong-Kong” mori votat e Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit.

Nisma parashikon që në rast se dhunohen të drejtat e banorëve, Uashingtoni mund të anulojë raportet favorizuese tregtare me qytetin gjysmautonom kinez dhe të sanksionojë zyrtarët përgjegjës.

Një ligj i dytë ndalon eksportet e municioneve që përdoren në protesta nga policia e Hong-Kongut.

“Për gjashtë muaj, njerëzit e Hong-Kongut kanë trazuar zemrat e popujve të lirë me kurajën dhe vendosmërinë e tyre për të mos hequr dorë nga demokracia, liritë dhe sundimi i ligjit që iu premtua dy dekada më parë. Ne sot e mbështetim plotësisht luftën e tyre për liri,” u shpreh kryetarja demokrate e Dhomës së Përfaqësusve, Nensi Pelozi.

Vendimet u qortuan nga Kina, e cila kërcënoi me kundërmasa nëse firmosen edhe nga presidenti.

“Hong-Kongu është pjesë e Kinës dhe çështjet e tij janë çështje të brendshme të Kinës. Problematikat që has Hong-Kongu tani nuk janë të drejtat e njeriut, as demokracia, por dhuna dhe kaosi. Do reagojmë ashpër në emër të sovranitetit, sigurisë dhe interesave tona zhvilluese,” deklaroi zëdhënësi i diplomacisë kineze.

SHKARKO APP