SHBA ndryshon kujdesin shëndetësor për personat transgjinorë

Administrata e Donald Trump ka finalizuar së fundmi një rregullore që rrëzon vendimet e marra gjatë qeverisjes së Barack Obama-s për të luftuar diskriminimin seksual në kujdesin shëndetësor për personat transgjinorë.

Sipas rregullores së re, Departamenti i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore do të kthehet në interpretimin e diskriminimit seksual duke iu referuar kuptimit të fjalës “seks si mashkull dhe femër dhe siç e përcakton biologjia”.

Gjatë qeverisjes së Obama-s, gjinia u përcaktua si ndjenjë e brendshme për të qenë mashkull, femër, kombinim ose asnjë prej këtyre. Ndryshimi i administratës Trump do të lejojë që ofruesit e kujdesit shëndetësor dhe kompanitë e sigurimeve që marrin fonde federale të refuzojnë të sigurojnë ose të mbulojnë kujdesin shëndetësor që lidhet me tranzicionin e amerikanëve transgjinorë.

Disa organizata kanë njoftuar se do të sfidojnë ndryshimin. Fushata për të Drejtat e Njeriut njoftoi se do të ngrejë një proces gjyqësor. Unioni Amerikan për Liritë Civile tha gjithashtu se do të padisë vendimin.

Gjatë qeverisjes së ish-presidentit Obama, në një spital mund të kërkohej që të kryheshin procedura të tranzicionit nëse institucioni e siguronte atë lloj trajtimi.

Njoftimi për vendimin e ri erdhi në 4-vjetorin e ngjarjes së rëndë në Orlando, Florida, ku një person vrau me armë zjarri 49 njerëz në një klub nate për personat gay./abcnews.al

SHKARKO APP