SHBA nis hetimet për Harvard dhe Yale, pse akuzohen universitetet
Shtetet e Bashkuara kanë nisur hetime për universitet prestigjoze, Harvard dhe Yale, pas dyshimeve se kanë pranuar fonde të padeklaruara nga shtete të huaja, përfshirë Arabinë Saudite dhe Kinën.
Departamenti i Edukimit deklaroi se ka zbuluar se këto institucione nuk kanë raportuar dhurata në vlerë të 6.6 miliardë dollarëve nga disa shtete përfshirë, Katarin, Kinën, Arabinë Saudite dhe Emirate e Bashkuara Arabe.
“Kjo ka të bëjë me transparencën. Nëse kolegjet dhe universitetet janë duke pranuar para dhe dhurata nga jashtë, studentët, donatorët dhe taksapaguesit meritojnë të kuptojnë çfarë vlere kanë dhe nga kush vijnë. Fatkeqësisht sa mëshumë thellohemi, aq më shumë e kuptojmë se shumë mjete nuk janë raportuar mirë, ose nuk janë raportuar fare”, ka thënë Sekretarja amerikane për Edukim, Betsy DeVos.
Sipas ligjit amerikan, universitetet duhet të raportojnë të gjitha dhuratat e marra nga burime të huaja që tejkalojnë shumën e 250,000 dollarëve.
Ndërkaq, këto dy institucione i kanë thënë BBC-së se janë duke përgatitur një përgjigje për qeverinë.