SHBA përgatitet për ndërhyrjen në terren kundër ISIS-it
Më shumë se 4 mijë trupa amerikane janë nisur drejt Kuvajtit për t’u përgatitur për një ndërhyrje të mundshme në terren kundër ekstremistëve të ISIS-it në Irak.
Sipas mediave amerikane kërkesa e Obamas nuk pritet të hasë rezistencë në dy dhomat e kontrolluara nga republikanët. Pjesëtarë të zëshëm të këtyre të fundit kanë kritikuar Shtëpinë e Bardhë për reagimin e vakët kundër ISIS-it dhe janë partizanë të një ndërhyrjeje nga toka.
Aktualisht në Kuvajt Pentagoni ka një bazë të vendosur atje që prej luftës së Gjirit, në të cilën pas pushtimit të Irakut në 2003-in u vendos një brigadë e përbërë nga ushtarë që e njohin terrenin e luftimeve.
Sa i përket ISIS-it, në një tjetër zhvillim Franca ka kërkuar mbledhjen urgjente të Kombeve të Bashkuara për të diskutuar situatën e krijuar së fundmi në Libi, ku është rritur ndjeshëm aktiviteti i xhihadistëve, që kanë vënë nën kontroll zona të tëra në lindje të vendit.
Kryeministri i Libisë bëri thirrje për ndërhyrje urgjente ushtarake, në të kundërt, paralajmëroi ai, s’do të jetë e largët dita kur ISIS të zbarkojë në Europë. Ushtria libiane dhe Egjipti njoftuan ndërmarrjen e një sërë bombardimesh nga ajri të bazave të xhihadistëve.
Përfshirja e Kajros në këtë konflikt të ri u bë pas publikimit të një videoje prej ekstremistëve ku ekzekutoheshin mbi 20 shtetas egjiptianë të krishterë koptë. / Top Channel