SHBA premton sanksionet më të ashpra në histori ndaj Iranit
Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, ka thënë se SHBA po imponojnë “sanksionet më të forta në histori” për Iranin.
Në një fjalim në Uashington, diplomati më i lartë i Amerikës tha se Irani do të “luftojë për të mbajtur ekonominë e tij” pasi sanksionet hynë në fuqi menjëherë.
Ai tha se do të punonte ngushtë me Pentagonin dhe aleatët rajonalë “për të penguar çdo agresion iranian”.
Në fjalimin e tij të parë për politikën e Jashtme si Sekretar i Shtetit, Pompeo shpalosi planin B të administratës për të kundërshtuar republikën islame të hënën.
Ai paraqiti 12 kushtet që Uashingtonit do t’i duhej të plotësoheshin për çdo “marrëveshje të re” me Teheranin, duke përfshirë tërheqjen e të gjitha forcave të saj jashtë Sirisë dhe dhënien fund të mbështetjes për rebelët në Jemen, raporton BBC.
Shefi i diplomacisë amerikane, tha se lehtësimi nga sanksionet do të vinte vetëm kur Uashingtoni të shihte një ndryshim të vërtetë në politikat e Iranit.
“Do të aplikojmë presione financiare të paprecedenta ndaj regjimit iranian,” tha ai.
“Udhëheqësit në Teheran nuk do të kenë asnjë dyshim për seriozitetin tonë. Irani nuk do të ketë më kurrë letër të bardhë për të dominuar në Lindjen e Mesme”, tha Pompeo.
Ishte presidenti Donald Trump, më parë gjatë këtij muaji që u tërhoq nga marrëveshja bërthamore me Iranin, e firmosur kjo në vitin 2015 nga ish-presidenti Obama.
KOHA JONË SONDAZH

