SHBA, republikanët, shanse të mira për të fituar terren në zgjedhje
Në zgjedhjet e sotme votohet për të 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve, si edhe për 36 nga 100 vendet e Senatit dhe 36 nga 50 postet e guvernatorëve.
Shumica e analistëve parashikon se republilanët do ta zgjerojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe kanë shanse të shkëlqyera për të marrë shumicën në Senat. Republikanëve u duhet të fitojnë gjashtë nga vendet e Senatit, që aktualisht i kanë demokratët, që të mund të marrin shumicën.
Anketat tregojnë se votuesit janë të pakënaqur me Presidentin Barack Obama dhe me drejtimin që ka marrë vendi. Frank Newport është me organizatën e sondazheve, Gallup.
“Do të thoja se mes shqetësimeve të amerikanëve, në krye të listës janë ekonomia dhe vendet e punës”.
Këto zgjedhje janë të rëndësishme për Presidentin Obama që i ka nxitur demokratët që të mos ua vënë veshin parashikimeve të zymta të ekspertëve dhe të dalin të votojnë.
“Ne nuk u ulëm në hënë duke qenë cinikë. Cinizmi nuk u jep fund luftrave, as nuk shëron sëmundje, nuk ngre biznese dhe nuk ushqen mendjet e të rinjve. Cinizmi është një alternativë, por shpresa është një alternativë më e mirë”.
Por presideni Obama mund të jetë përballë një beteje me historinë. Partia e presidentit që është në mandatin e dytë, zakonisht humb terren në zgjedhjet e Kongresit në mes të mandatit dhe rënia e mbështetjes për presidentin mund të jetë duke dëmtuar shanset e kandidatëve demokratë në gjithë vendin.
Republikanë si ish-kryetari i komitetit kombëtar të kësaj partie, Mike Duncan kanë një optimizëm të përmbajtur për shanset e rimarrjes së shumicës në senat.
“Por këto gara, veçanërisht ato të senatit, janë gara shumë lokale. Dhe këtë radhë kemi kandidatë shumë të mirë. Mendoj se kushtet na favorizojnë por nuk sigurisht nuk mund ta marrim si të mirëqenë fitoren”.
Zoti Duncan thotë se republikanët bënë të pamundurën për t’i paraqitur këto zgjedhje si një referendum kombëtar për presidentin dhe politikat e tij.
“Mendoj se mesazhi kryesor është që vendi po distancohet nga Presidenti Obama. Ne po e kthejmë vendin tek qendra e djathtë, aty ku e do populli amerikan”.
Zgjedhjet në mes të mandatit zakonisht përqendrohen tek çështjet e brendshme. Por këtë vit, rreziku i Shtetit Islamik në Lindjen e Mesme dhe frika për përhapjen e Ebolës e kanë tronditur publikun në javët e fundit të fushatës.
Norman Ornstein është analist politik me Institutin American Enterprise.
“Ka kandidatë individualë dhe republikanë që kanë dobësi serioze dhe mënyra më e mirë për ta larguar vëmendjen nga këto dobësi, është që t’i jepet një frymë kombëtare zgjedhjeve, në një kohë kur njerëzit janë të pakënaqur dhe mendojnë se gjendja ka dalë jashtë kontrollit dhe qeveria nuk po punon dhe se presidenti është i paaftë”.
Disa nga garat kryesore të Senatit këtë vit, janë në shtetet me prirje republikane dhe anketat e orëve të fundit të fushatës tregonin se shumë prej tyre anonin nga republikanët.
Qendra për Politikë të Përgjegjshme vlerëson se shpenzimet në fushatën për këto zgjedhje kanë arritur në 4 miliardë dollarë, zgjedhjet më të kushtueshme në historinë e votimeve për Kongresin.