SHBA: Rusia po tenton të krijojë pretekst për luftë
Kreu i Komitetit të Senatit amerikan për Marrëdhënie me Jashtë, Jim Risch tha se propozimet e sigurisë që ka prezantuar Moska, që kanë për qëllim të shtensionojnë situatën pas grumbullimit të trupave ruse pranë kufirit ukrainas, janë sinjal i qartë se Rusia po “tenton të krijojë pretekst për luftë”.
Ai tha se propozimet e Rusisë nuk janë marrëveshje për siguri, por listë e koncesioneve që SHBA dhe NATO duhet të bëjnë për të kënaqur presidentin rus, Vladimir Putin.
Senatori Risch i bëri thirrje administratës së presidentit amerikan, Joe Biden dhe aleatëve të NATO-s që të refuzojnë këto kërkesa, por tha se Aleanca duhet të jetë e përgatitur që Putini ta përdorë refuzimin e kërkesave si justifikim për përdorim të forcës ushtarake.
Rusia ka vendosur rreth 100,000 trupa pranë kufirit me Ukrainën. SHBA thotë se me këtë veprim, Moska po përgatitet ta pushtojë Ukrainën.