SHBA, sulmuan konkursin e karikaturave të Profetit Muhamed, vriten nga policia
Policia në Teksas ka vrarë dy persona të armatosur, të cilët kanë hapur zjarr të dielën e 3 majit 2015, para një ekspozite të karikaturave të profetit Muhamed, që është organizuar nga një grup anti-islamik në Garland të Teksasit.
Sulmi ndodhur pak para orës 7 të mbrëmjes, në një vend parkimi në qendrën “Curtis Culwell”, një arenë e mbyllur në periferi të Garlandit, verilindje të Dallasit.Politikani holandez dhe aktivisti kundër islamik, Geert Wilders, i cili gjithashtu është pjesë e një liste të Al Kaedës për t’u vrarë, ka qenë në mesin e atyre që do të mbante fjalim në këtë aktivitet.
Dy të dyshuarit kanë udhëtuar deri te ndërtesa kur ekspozita ishte afër fundit dhe kanë filluar të gjuajnë me armë automatike në drejtim të një roje sigurie duke e plagosur në këmbë, por pa rrezik për jetën. Policia e Garlandit ka gjuajtur në drejtim të sulmuesve dhe i ka vrarë. Ende nuk dihet identiteti i tyre.
një ekip për çarmatosjen e bombave është thirrur në vendin e ngjarjes për të kontrolluar makinën e sulmuesve për mjete shpërthyese.
Zona afër objektit ku mbahej aktiviteti është evakuuar. Ekspozita është organizuar nga Pamela Geller, presidente e Iniciativës Amerikane për Mbrojtje të Lirisë.
Organizata e saj e cila përshkruhet si grup që nxit urrejtje, deri më tani ka qenë sponsor i shumë fushata rekalamash që janë konsideruar kundër islamike.
Ajo ka ofruar 10 mijë euro për punimin më të mirë artistik apo karikaturën që portretizon profetin, si dhe 2500 dollarë për atë që e pëlqen publiku më së shumti.
Sulmi me armë zjarri në periferinë e Dallasit ishte jehonë e sulmeve dhe kërcënimeve në shtete të tjera perëndimore kundër portretizimit të profetit Muhamed.
Në janar, persona të armatosur vranë 12 persona në Paris, në zyrat e revistës satirike “Charlie Hebdo”, si hakmarrje për karikaturat e revistës me profetin Muhamed.
“Është koha që vëllezërit në SHBA të kryejnë detyrën e tyre,” shkruan xhihadisti amerikan
Një xhihadist amerikan, Mohamed Abdullahi Hassan, 25 vjeç, pjesë e grupit terrorist Al Shabaab në Somali, mendohet të ketë shkruar mesazhe që parashikonin dhunë e vrasje në qytetin Garland të Teksasit.
Këtë mesazh, Hassan besohet ta ketë shkruar në Twitter më 23 prill.
Mesazhi i tij i plotë ishte : “Vëllezërit bënë detyrën e tyre në sulmin ndaj Charlie Hebdo, tani është detyra e vëllezërve të kryejnë detyrën në SHBA”.