SHBA-të largohen nga Venezuela
Qeveria amerikane ka nisur distancimin nga regjimi i Venezuelës pas thirrjes së presidentit Nikola Maduro se Amerika po komploton kundër tij. Stafi dytësor i diplomacisë amerikane është njoftuar të largohet nga vendi brenda ditës së dielë për të shmangur një përndjekje të mundshme nga autoritetet vendase. Ndërkohë, vendi prej fillimit të javës i është nënshtruar protestave mes kundërshtarëve të Maduros dhe ushtrisë lokale, përplasje të cilat kanë shkaktuar deri tani mbi 26 viktima.
Trazirat që kanë përfshirë Venezuelën javët e fundit kanë detyruar Departamentin Amerikan të Shtetit që të tërheqë stafin e vet diplomatik dytësor për arsye sigurie.
Vendimi erdhi vetëm pak orë pasi presidenti Nikola Maduro i caktoi Uashingtonit 3 ditë kohë për largimin e diplomatëve amerikanë dhe njoftoi shkëputjen e lidhjeve diplomatike me qeverinë e Shteteve të Bashkuara.
Zyrtarët amerikanë ishin shprehur më herët se Maduro nuk kishte autoritetin që të ndërpriste lidhjet mes dy vendeve pasi ai nuk konsiderohet më president i popullit.
Pompeo:“Arsyeja pse duam të qëndrojmë në Venezuelë është për t’i ofruar ndihmë demokracisë dhe krizës humanitare në vend, dhe për të përmirësuar kushtet e mjerueshme të jetesës në të cilat populli venezuelian përballet për shkak të Maduros.”
Presidenti i zgjedhur, ndërkohë premtoi të enjten se do të vijojë të qeverisë pavarësisht grushtit të shtetit që kryetari i opozitës kishte organizuar me përkrahjen amerikane.
Akuzat e tij i drejtoheshin opozitarit Huan Guaido, i cili prej ditës së mërkurë është vetëshpallur president i përkohshëm i vendit, dhe është i njohur si i tillë nga disa shtete në botë.
Prej ditës së hënë, kur presidenti Maduro njoftoi shtypjen e një grupi rebel që po komplotonte kundër tij, vendi është përfshirë nga një valë protestash të dhunshme.
Organizatat joqeveritare humanitare raportojnë se numri i viktimave nga përleshjet me forcat ushtarake dhe ato paraushtarake është rritur në 26, ndërsa të paktën 320 persona janë arrestuar.
Shefat e ushtrisë venezueliane konfirmuan të enjten se ata do i qëndrojnë besnikë Maduros, por apeluan për dialog dhe paralajmëruan rrezikun e një lufte të vërtetë civile nëse ndasitë mes qytetarëve vazhdojnë.
KOHA JONË SONDAZH

