SHBA thirrje Europës: Rusia po përgatit pushtimin e Ukrainës
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar aleatët e tyre në BE, që Rusia mund të jetë duke menduar pushtimin e Ukrainës. Tensionet në rajon janë tepër të larta, për shkak të krizës së gazit dhe asaj të emigrantëve që po përshkallëzohet përditë e më shumë në kufirin mes Bjellorusisë dhe Polonisë.
Uashingtoni po monitoron nga afër rreshtimin e trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën dhe zyrtarët amerikanë kanë njoftuar për këtë kolegët europiane duke u thënë që janë të shqetësuar për një operacion ushtarak, sipas disa burimeve të “Bloomberg”. Të premten, zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov, i hodhi poshtë si të pabazuara këto raportime.
Amerikanët mendojnë që Rusia po peshon mundësinë e aneksimit të pjesës lindore të Ukrainës, njëlloj si bëri me Krimenë në vitin 2014. Që prej atij viti, Ukraina është përfshirë në një konflikt ku separatistët e mbështetur nga Rusia duan të shkëputen. Për t’u kundërpërgjigjur autoritetet atje kanë vendosur të dërgojnë 8500 trupa shtesë në kufirin lindor.