SHBA tregon menjëherë muskujt
Një front i ri lufte është hapur në Lindjen e Mesme, duke përplasur dy fuqi: Arabinë Saudite dhe Iranin.
Menjëherë është dashur ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara, të cilat kanë lëshuar një sinjal të fortë ndaj Iranit, që kishte nisur nëntë anije drejt Jemenit.
Në anije mendohet se ka armë për rebelët Huthi, që po luftojnë në Jemen.
SHBA ka dërguar në këtë rajon aeroplanmbajtësen gjigande USS Theodore Roosevelt dhe tetë anije të tjera luftarake për të vëzhguar situatën.
Irani po mbështet rebelët Huthi, që kanë detyruar presidentin të largohet në ekzil, ndërsa kanë pushtuar rajone të tëra.
Nga ana tjetër, një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite ka nisur sulmet ndaj rebelëve Huthi.
Tensionet mes dy vendeve fshehin përplasjen e vazhdueshme mes shitëve dhe sunitëve.
Arabia Saudite akuzon Iranin se armatos rebelët shitë kudo që janë, ndërsa Irani akuzon Arabinë se mbështet militantët suni, përfshi këtu edhe Shtetin Islamik.
Të martën, presidenti iranian tha se qeverisjet e sunitëve po dështojnë kudo.
Ai tha se kjo vjen për shkak të një disbalance mendore.
Nga konflikti në Jemen mendohet se janë 944 viktima gjatë katër javëve të fundit.
Korrespondenti i BBC thotë se pavarësisht se Arabia thotë se ka arritur suksese në Jemen, sërish qeverisja nuk është rikthyer dhe rebelët Huthi kontrollojnë shumicën e kryeqytetit.