SHBA vendos sanksione ndaj oligarkëve dhe zyrtarëve rusë

Administrata e Trump ka vendosur sanksione shtesë ndaj shtatë oligarkëve rusë që kanë lidhje me Presidentin Putin, së bashku me 12 kompani që ata posedojnë ose kontrollojnë.
Masat e marra nga Departamenti i Thesarit të premten gjithashtu vlejnë dhe për 17 zyrtarë të lartë të qeverisë dhe për kompaninë ruse të tregtisë së armëve, Rosoboronexport, e cila ka lidhje të gjatë me Sirinë dhe degën e saj, Russian Financial Corporation Bank.
“Oligarkët dhe elitat ruse që përfitojnë nga ky sistem i korruptuar nuk do të izolohen më nga pasojat e aktiviteteve destabilizuese të qeverisë së tyre,” tha në një deklaratë sekretari i Thesarit Stiven Mnukin.
Një zyrtar i lartë i administratës u tha gazetarëve në një njoftim se sanksionet ishin nën shqyrtim për njëfarë kohe.
Lista e sanksioneve të së premtes synon një numër të manjatëve rusë, duke përfshirë Oleg Deripaska, një miliarder që dikur kishte lidhje të ngushta me ish-kryetarin e fushatës së Presidentit Donald Trump, Paul Manafort; Kirill Shamalov, një ekzekutiv i energjisë që u martua me vajzën e Putinit; dhe Suleiman Kerimov, i cili dyshohet se solli miliona euro në Francë në një valixhe.
Sanksionet vijnë pasi 60 diplomatë amerikanë lanë Rusinë si pasojë e dëbimeve pas një helmimi të një spiuni rus dhe bijës së tij në Britani. SHBA u bashkua me më shumë se 20 vende duke dëbuar më shumë se 100 diplomatë rusë dhe oficerë të inteligjencës nga vendet e tyre.
Rusia ka mohuar përfshirjen në këtë ngjarje, por sulmi shihet nga SHBA dhe aleatët kryesorë, si pjesë e një modeli gjithnjë e më agresiv, i Putinit, i cili ka përfshirë ndërhyrjet ushtarake në Gjeorgji dhe Ukrainë, mbështetjen e vazhdueshme të presidentit sirian Bashar al-Assad dhe ndërhyrje në zgjedhjet demokratike në SHBA dhe Evropë.
Sipas zyrtarëve të lartë të administrates, deri më tani, administrata ka sanksionuar 189 individë dhe subjekte të lidhura me Rusinë.
Në janar, në SHBA u identifikuan më shumë se 200 rusë të pasur, zyrtarë të lartë dhe udhëheqës të biznesit në përgjigje të një ligji të sanksioneve të miratuar nga Kongresi verën e kaluar për të ndëshkuar Rusinë për ndërhyrjet në zgjedhjet e SHBA.
17 zyrtarë të lartë rusë, asetet e të cilëve do të jenë të ngrira përfshijnë: Nikolai Patrushev, sekretar i Këshillit të Sigurimit të Federatës Ruse; Vladimir Kolokoltsev, ministër i punëve të brendshme dhe policia e përgjithshme e Federatës Ruse; dhe Evgeniy Shkolov, një prej ndihmësve të Putinit.
Ndër kompanitë e synuara nga SHBA janë Grupi GAZ, prodhuesi kryesor rus i automjeteve komerciale të zotëruara nga Deripaska dhe Russian Machines dhe Renova Group, e cila përbëhet nga fondet e investimeve dhe kompanitë e menaxhimit që operojnë në sektorin e energjisë në Rusi.

Burimi: The Sun: Përkthehu: Ira Hetemaj

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?