Shefi i FBI-së: Sulmi ndaj Kapitolit, terrorizëm i brendshëm!
Drejtori i Byrosë Federale të Hetimit tha të martën para Komisionit Juridik të Senatit se sulmi i dhunshëm më 6 janar ndaj ndërtesës së Kapitolit me qëllim parandalimin e çertifikimit të fitores në zgjedhje të demokratit Joe Biden, ishte terrorizëm i brendshëm.
“Ishte një sjellje kriminale, një sjellje që ne të FBI-së e shohim si terrorizëm të brendshëm. Një gjë e tillë nuk ka vend në demokracinë tonë dhe tolerimi do të ishte tallje me sundimin e ligjit”, tha Drejtori i FBI-së, Christopher Wray, në deklaratën e tij që i parapriu pyetjeve të senatorëve.
Zoti Wray tha sulmi i dhunshëm nuk ishte “një akt i izoluar” dhe se agjencia më e lartë e zbatimit të ligjit prej 2019 “e ka ngjitur ekstremizmin e dhunshëm të motivuar nga përkatësia racore dhe etnike në nivelin më të lartë të kërcënimit, njësoj sikurse konsideron kërcënimin që vjen nga ISIS-i (Shteti Islamik) dhe ekstremistët e dhunshëm të brendshëm”.
Ai shtoi se FBI-ja nuk përqendrohet në ideologji kur heton terrorizmin e brendshëm.
Dëshmia e zotit Wray vjen mes shqetësimeve se FBI-ja nuk ishte e përgatitur në mënyrë adekuate për trazirat, pavarësisht paralajmërimeve disa ditë para sulmit. Ligjvënësit e kanë vënë zotin Wray para pyetjesh të forta për të kuptuar se si FBI-ja po i trajton kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare nga nacionalistët e bardhë dhe ekstremistët e dhunshëm brenda vendit, si dhe nëse agjencia është e pajisur në mënyrën e duhur për ta adresuar problemin.
Presidenti Donald Trump u bëri thirrje mijëra mbështetësve, të cilët kishin ardhur në Uashington më 6 janar, për një marshim për të shpëtuar Amerikën, siç tha ai, duke u kërkuar mbështetësve të tij t’i drejtoheshin Kapitolit ndërsa aty zhvillohej procesi i çertifikimit të fitores së zotit Biden në zgjedhje.
“Ju do të keni një president jolegjitim. Atë do të keni dhe ne nuk mund ta lejojmë këtë që të ndodhë”, tha zotit Trump gjatë fjalimit të tij më 6 janar.
“Ne do të luftojmë deri në fund dhe nëse nuk e bëjmë, nuk do të kemi më një atdhe”, shtoi ai.
Qindra mbështetës të zotit Trump iu drejtuan ndërtesës së Kapitolit dhe u futën brenda me forcë çka rezultoi në vdekjen e pesë personave.
Zoti Wray ka qenë kryesisht larg vëmendjes së publikut që kur turma e dhunshme sulmoi Kapitolin. Dëshmia e tij përpara Kongresit të martën shënon paraqitjen e tij të parë publike që nga sulmi./VOA