Shembja e Murit solli liri dhe shpresë. Por e tepruam duke iu përulur forcave të tregut

“Bufi i Minervës fillon fluturimin e tij, vetëm me ardhjen e muzgut,” shkruante Hegeli tek “Filozofia e së Drejtës”. Ishte një mënyrë poetike për të thënë se urtësia dhe mirëkuptimi vijnë vetëm me vështirësi, dhe historia kurrë nuk pushon së luajturi me veten, në mënyra të paparashikuara. Ndërsa Gjermania shënon 30 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit këtë fundjavë, një rrahje e krahëve është kollaj e dëgjueshme.

Pas ngjarjeve të jashtëzakonshme të 9 nëntorit 1989, kur berlinezët lindorë u dyndën nëpër pikat e kontrollit të Murit, duke i dhënë fund praktikisht luftës së ftohtë dhe epokës komuniste në Evropë, shumë menduan se ishte arritur më në fund fitorja përfundimtare e demokracisë liberale. Francis Fukuyama sugjeroi se triumfi i vlerave perëndimore mund të sinjalizonte “fundin e historisë”.

Masakra e protestuesve pro-reformë në Kinë, më herët po atë vit fliste ndryshe; dhe Z. Fukuyama e ka rishikuar tashmë pikëpamjen e tij. Por për 20 vjet, pak a shumë, u duk se Evropa e pranoi atë verdikt. Ky ishte liberalizëm i pastër. Ndërsa BE u zgjerua në lindje, vendet e dikurshme të Paktit të Varshavës u demokratizuan, privatizuan asetet shtetërore dhe u bënë ndjeshëm më të pasur, megjithë dhimbjet ekonomike dhe vështirësitë e mëdha gjatë rrugës.

Megjithatë, tre dekada pas shkatërrimit të atij që kryebashkiaku i Berlinit Perëndimor, Ëilly Brandt e quajti “Muri i Turpit”, konsensusi liberal që mbështolli të gjithë Evropën në vitet 90 dhe 2000 duke tejet i brishtë. Ky ngjan si një përvjetor në hije, i mbushur me paqartësi. Në Evropën Lindore, nacionalistët e djathtë kanë lulëzuar në qytetet e vogla dhe zonat rurale, të cilat kanë parë shumë pak prej pasurisë së akumuluar në kryeqytetet si Varshava dhe Budapesti, dhe kanë vuajtur teksa të rinjtë kanë mbledhur plaçkat dhe janë larguar. Barriera janë ngritur sërish: gardhet me tela me gjemba mbajnë jashtë refugjatët dhe imigrantët në kufirin lindor të Hungarisë. Kryeministri i këtij vendi, Viktor Orban e quan veten kampion të “demokracisë joliberale”, një markë autoritare e nacionalizmit që vë në shënjestër minoritetet dhe neverit idenë e të drejtave njerëzore universale. Në Poloni, Partia për Ligj dhe Drejtësi – që u rizgjodh për një mandat të dytë muajin e kaluar – ka sfiduar normat demokratike liberale duke vënë në shënjestër gjykatësit dhe kontrolluar median. Më pranë Berlinit, në shtetin gjermano-lindor në Turingias, CDU përfundoi e dyta, prapa partisë nacionaliste të ekstremit të djathtë AfD, në zgjedhjet e këtij shteti.

Shfaqja trishtuese e një nacionalizmi populist agresiv të së djathtës nuk është kufizuar në lindje. Rritja e Legas së Matteo Salvinit në Itali, mbështetja për Marine Le Pen në Francë dhe rezultati i referendumit të Brexit gjithashtu mund ta kenë shkakun, pjesërisht, në të metat e mendimit liberal, që e ribëri Evropën një union me vetëbesim të lartë pas vitit 1989. Shumë pak vëmendje iu kushtua rajoneve, vendeve dhe individëve që humbën në tregun e përbashkët, i themeluar në vitin 1993. Pasojat nga kriza e vitit 2008 nxorrën zbuluar të vërtetën se, ndonëse shoqëritë evropiane u bënë më të pasura gjatë 30 viteve të fundit, edhe ndarjet brenda tyre u bënë më të mëdha, pasi qeveritë zunë sediljen e pasme, dhe lejuan forcat e tregut të diktonin.

Ka shenja tentativash për të bërë rishikime të nevojshme. Presidenti francez, Emmanuel Macron, i tronditur nga protestat e jelekëverdhëve, që filluan një vit më parë, është zotuar të rrisë shpenzimet publike, duke injoruar paralajmërimet për defiçitin nga Brukseli. Në një intervistë këtë javë, ai vërejti se “Evropa ka harruar se është një komunitet, duke e menduar gjithnjë e më shumë vetveten si një treg, me zgjerimin si qëllim përfundimtar”. Ai do të donte të shihte një buxhet të përbashkët të eurozonës, me fuqi të vërtetë fiskale, për të mundësuar një shpërndarje më të drejtë të pasurisë dhe burimeve në të gjithë BE-në. Presidentja e re e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, u ka bërë thirrje qeverive me teprica buxheti, të tilla si Gjermania dhe Hollanda, të shpenzojnë më shumë për të stimuluar rritjen pan-Evropiane. Në Britani, të dy partitë kryesore po propozojnë nivele të shpenzimeve publike, si ato të viteve 1970, para zgjedhjeve të muajit të ardhshëm.

Shembja e Murit të Berlinit solli liri dhe shpresë. Por u teprua me përuljen para forcave të tregut. Sot, kur kthen kokën prapa, mësimet e 1989 janë të ndryshme. Ato na thonë se është i nevojshëm – i vonuar madje – një rikalibrim i marrëdhënieve mes qeverive dhe tregut, i cili mund të sprapsë mësymjen nacionaliste në lindje dhe në perëndim.

/ The Guardian – Bota.al

SHKARKO APP