Shesheli rikthehet në Beograd: Rroftë Serbia e Madhe

“Premtova se do ta mundja Tribunalin e Hagës dhe e bëra, edhe pse lufta mori më shumë kohë nga ç’e prisja”, tha Sheshel në një fjalim në tarracën e selisë së partisë së tij.

“Tribunali i Hagës është bisha e plagosur e globalizmit, që shkatërroi jetët e liderëve serbë, ushtrinë dhe komandantët e policisë. Gjeneralët tanë të nderuar vetëm mbrojtën Serbinë,” shtoi ai.

Ai konkludoi fjalimin e tij duke deklaruar: “Jetë të gjatë Serbisë së Madhe”.

Ashtu si nga admiruesit e tij, Sheshel u mirëprit nga familja e tij, zyrtarët e partisë dhe anëtarët e organizatës Obraz të së djathtës ekstreme, ndërsa policia ruajti masa të forta sigurie.

Një nga mbështetësit e Sheshel në aeroport, Bora Tomic, tha për BIRN se ai priste që lideri nacionalist “të drejtojë rebelimin kundër kapitalizmit, globalizmit dhe gjërave të tjera të këqija të kësaj bote”.

“Presim që të gjitha problemet tona të zgjidhen me ardhjen e tij,” tha një tjetër, Nenad Savkovic.

Shesheli po kthehet për trajtim të kancerit pasi u mbajt në paraburgim për më shumë se 11 vjet në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për Ish-Jugosllavinë, ku ai po qëndron i akuzuar për krime lufte të kryera në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Serbi.

Partia e tij po planifikon edhe një manifestim të madh mirëseardhjeje të shtunën në Sheshin Republika në qendër të Beogradit, ku pritet që udhëheqësi nacionalist të mbajë një fjalim.

Gjykata Ndërkombëtare Penale për Ish-Jugosllavinë të enjten e kaluar dha liri me kusht për Sheshelin për arsye humanitare duke argumentuar se gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar shumë. Ai u diagnostikua me kancer vitin e kaluar.

Sipas Nemanja Sarovic, një zyrtar i Partisë Radikale të Serbisë që po udhëton me Sheshelin nga Haga, rreth 50 policë holandezë i shoqëruan ata për në aeroport ku politikani hipi në avion.

Qeveria e Serbisë ka ofruar garanci sigurie për të mundësuar rikthimin e Sheshelit, duke premtuar se ai nuk do të ketë kontakte me dëshmitarët apo viktimat dhe se do të rikthehet në Hagë për vendimin e gjyqit të tij.

“Qeveria është gati të bëjë gjithçka që kërkohet,” tha ministri i Drejtësisë Nikola Selakovic për televizionin publik të Serbisë, RTS.

“Jam i sigurtë se Shesheli do të rikthehet kur të jetë e nevojshme për vendimin,” shtoi ai.

Shesheli ka qëndruar sfidues gjatë paraburgimit të tij në Hagë dhe raportohet se ka thënë se do të kërkojë “hakmarrje” kur ai të kthehet në Serbi.

 

“Nëse kthehem në Serbi, unë nuk do të humbas kohë me mjekime; do t’i përqendroj forcat e mija në hakmarrje,” tha ai javën e kaluar sipas disa raportimeve mediatike.

Ai ka qenë në paraburgim në Hollandë që nga viti 2003, kur ai u dorëzua vullnetarisht. Vendimi për çështjen e tij të krimeve të luftës qe parashikuar të jepej tetorin e kaluar, por u shty pasi një nga gjykatësit në gjyq u hoq i dyshuar për anësi.

Gjykatësi i ri pritet të shqyrtojë çështjen së paku deri në qershor 2015 për të familjarizuar veten me detajet e çështjes, duke shkaktuar edhe një vonesë tjetër në gjyq.

Gjykatësi i ri, Mandiaye Niang kundërshtoi lirimin me kusht, duke argumentuar se politikani nacionalist mund të mos respektojë kushtet e lirisë dhe se ai ka “refuzuar të japë garanci të tilla” në të shkuarën. Megjithatë dy gjykatësit e tjerë të panelit votuan pro lirimit.

BIRN

SHKARKO APP