Shesheli: Srebrenica, “njollë e zezë”

Lideri nacionalist serb Vojislav Sheshel, i liruar nga Gjykata e Hagës për t’u kuruar nga kanceri, tha se masakrat e Srebrenicës ishin krim, por nuk arrinin në përmasa genocidi. Në shpërthimet e tij të fundit kontroversiale që kur u lirua përkohësisht nga gjyqi i tij për krime lufte në Hagë, Shesheli tha se ai nuk i mohoi krimet që ishin kryer gjatë luftës në Bosnje, por u shpreh se nuk kishte pasur genocid. “Srebrenica është komprometuese për Serbinë dhe është një njollë e zezë për anën serbe në këtë luftë,” tha Shesheli në një kanal televiziv serb ditën e shtunë. Por ai u shpreh se vendimet në Gjykatën e Hagës të cilët shprehnin se në Sreebrenicë kishte pasur genocid ishin të gabuara. “Nuk kam mohuar dhe s’do të mohoj kurrë ndonjë krim, përfshirë krimet e kryera në Sreebrenicë. Thjesht po them që nuk ishte genocid. Duhet të shikoni konventën e genocidit,” tha ai. Lideri i Partisë Radikale Serbe, i cili ka shkaktuar trazira në Bosnje dhe Kroaci dhe është dënuar nga Parlamenti Evropian për retorikën e tij nacionaliste që prej lirimit të tij në tetor, tha se nuk pendohet për asnjë nga veprimet e tij. “Nuk pendohem për asgjë që kam bërë në jetën time. Nuk i kam bërë ndonjë gabim për të cilin duhet të më vijë keq apo duhet të ndiej turp,” tha ai. “Në 12 vitet që kalova në burg në Hagë, ata s’mundën të më lidhnin me ndonjë krim konkret apo ndonjë luftëtar vullnetar që dërgova në luftë. Jam krenar për këtë gjë,” tha ai. Shesheli, i cili rekrutoi vullnetarë për të marrë pjesë në luftë, tha gjithashtu se lideri paraushtarak famëkeq Zeljko Raznatoviç, i njohur ndryshe si Arkani, ishte një kriminel që “sponsorizohej nga Shërbimi Sekret shtetëror”. “Unë isha i vetmi në Serbi që isha gati të përballesha me Arkanin, ndërsa ai ishte ende gjallë dhe i fuqishëm. Shteti kishte frikë nga ai. Presidenti serb Slobodan Millosheviç nuk i bënte dot asgjë,” tha ai. “Kur ai erdhi në Zvornik në vitin 1992, ai erdhi me makinën policore të Ministrisë së Brendshme. Ai luftonte për para. Autoritetet vendase i dhanë 350,000 marka gjermane pas një urdhri nga ana e ish-presidentit serb të Bosnjës Biljana Plasvic për të luftuar në Zvornik,” shtoi ai. Shesheli tha se i vinte keq që shumë njerëz kishin humbur jetën në Bosnje dhe Hercegovinë gjatë luftës. “Të gjithë u prekën nga lufta. Serbët, boshnjakët dhe kroatët. Tani mund të konkurrojmë se kush pati më shumë viktima, por kjo nuk do të ishte aspak ngushëlluese për viktimat dhe familjet e tyre. Duhet të mësojmë diçka nga kjo, por sigurisht që është e vështirë të nxjerrësh përfundime morale,” tha ai. Shesheli, i cili po gjykohet për krime lufte në Bosnje, Kroaci dhe Serbi, u arrestua në vitin 2003 deri kur u lirua dy muaj më parë. Ai ka thënë vazhdimisht se nuk do të kthehet me dëshirë për të dëgjuar vendimin e gjyqit të tij. Vendimi ishte programuar të merrej vitin e kaluar, por u shty pasi një nga gjykatësit u hoq nga çështja për dyshime për njëanshmëri. Gjykatësi i ri pritet të marrë kohë në dispozicion deri në fund të qershorit 2015 për t’u familjarizuar me detajet e çështjes, duke shkaktuar kështu një tjetër vonesë në gjyqin maratonë. BIRN

SHKARKO APP