Shkak i vatrës së re, një dasmë?

Shkup

Një dasmë me një numër të madh të ftuarish, e mbajtur në kushte shtëpie në fund të muajit maj, mund të jetë bërë shkas për një vatër te re të Covid-19 në Maqedoninë e Veriut.

“Ajo që dimë deri tani, është se nga një dasmë, e cila ka numëruar mbi 100 njerëz në kushte shtëpie në një kohë kur grumbullimet ndaloheshin, tani kemi mjaft persona pozitivë. Këto ditë do të realizohet intensivisht verifikimi i të gjithë të ftuarve”, deklaroi ministri i Shëndetësisë , Venko Filipçe në konferencën e përditshme për shtyp.

Filipçe shtoi se nuk ka informacion për të punësuar pozitivë në një fabrikë në afërsi të Tetovës, ku punëtorët mbërrijnë me autobusë nga Tetova, Gostivari e Shkupi. Ndërkohë, epidemiologët kanë zbuluar një rast të ri me koronavirus në rajonin e Gostivarit, ku numri i të infektuarve ka mbërritur kështu gjithsej në 30. Në Maqedoninë e Veriut, një ditë më parë u regjistruan shifra rekord të të infektuarve me Covid-19.

SHKARKO APP