Shkencëtarët zbulojnë se si trupi ynë e lufton koronavirusin

Shkencëtarët në Australi kanë identifikuar se si sistemi imunitar e lufton koronavirusin e ri. Studimi i tyre tregon se si njerëzit e sëmurë nga koronavirusi e marrin veten njësoj si me gripin.

Ekspertët thonë se përcaktimi i qelizave imunitare që luftojnë virusin do të ndihmojë në prodhimin e vaksinës. Studimi është vlerësuar nga shkencëtarët e tjerë si një arritje e rëndësishme, raporton BBC.

Kjo është hera e parë që shkencëtarët e kuptojnë se si e lufton trupi ynë koronavirusin.

Shumë njerëz janë shëruar nga kjo sëmundje, çka do të thotë se ne dimë tashmë se sistemi imunitar mund ta luftojë me sukses virusin.

Por për herë të parë janë identifikuar katër lloje të qelizave imune që marrin pjesë në luftën ndaj koronavirusit. Ato u pikasën gjatë vëzhgimit të një pacienti me simptoma të buta deri në të moderuara.

Identifikimi i qelizave që luftojnë virusin mund të përcaktojë edhe rrjedhën që do ndjekë sëmundja.

Ministri i Shëndetësisë në Australi, Greg Hunt tha se kjo do ndihmojë në përshpejtimin e vaksinës dhe trajtimeve potenciale për pacientët e sëmurë.

SHKARKO APP