Shkupi injoron mesazhet e Tiranës dhe Prishtinës për Marrëveshjen e Ohrit

Partia bartëse e pushtetit VMRO-DPMNE nuk përfill mesazhet e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Vizitat e fundit të autoriteteve qeveritare dhe parlamentare të Tiranës dhe Prishtinës, si kryetari i Kuvendit shqiptar, Ilir Meta, ministri i jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ministrja e mbrojtjes e Shqipërisë, Mimi Kodheli kishin si mesazh të qartë: implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, apo pjesët e saj të paimplementuara rreth 14 vite më pas.

Por, përkundër kësaj, këto mesazhe nuk janë përfillur nga autoritetet e Shkupit, të cilat përmes komunikatave për mediat nuk kanë përmendur fare çështjen e Marrëveshjes së Ohrit.

Kjo ka ndodhur me komunikatat e qeverisë, presidencës dhe ministrive përkatëse, përfshirë edhe Parlamentin apo zyrën e kryeparlamentarit Trajko Veljanovski, informon INA.

Deklaratat dhe mesazhet e krerëve shtetëror të Tiranës dhe Prishtinës kanë qenë vetëm pjesë e debatit të mediave shqiptare dhe se ato më shumë janë cilësuar si deklarata shterpe që nuk janë përfillur nga Shkupit zyrtar.

Kjo ka ndodhur edhe me vizitën e djeshme të ministrit të jashtëm të Maqedonisë, Nikola Popovski në Tiranë, i cili i pyetur se pse nuk po realizohet Marrëveshja  e Ohrit, ai ka dhënë një përgjigje diplomatike, duke theksuar se kjo marrëveshje është inkorporuar në Kushtetutën e vendit dhe se ai duke mos përmendur konkretisht shqiptarët nënvizoi se Maqedoni në bazë të Kushtetutës plotëson të gjitha të drejtat e komuniteteve etnike.

Ja se çfarë deklaroi Popovski dje në Tiranë i pyetur nga insistimet e liderëve shqiptarë shtetëror të rajonit për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.

"Në këtë kontekst dua të përsëris dhe theksoj, sepse shpesh kjo pyetje bëhet pa një qasje më të thellë për sa i përket përmbajtjes së saj, se ajo që quhet Marrëveshja kuadër e Ohrit është pjesë e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë. Pjesëmarrja sa më e madhe e të gjitha partive në aspektin politik është në traditën e Republikës së Maqedonisë. Gjithashtu, Republika e Maqedonisë ka një traditë shumë të mirë për sa i përket diskriminimit pozitiv të të gjitha komuniteteve etnike në të gjitha aspektet. Ne kemi një rol mjaft të rëndësishëm në afirmimin e gjuhës, dhe të gjithë tipareve të tjera të rëndësishme në kulturën e Maqedonisë. Parë në këtë aspekt, Maqedonia i plotëson të gjitha standardet për trajtimin e komuniteteve etnike. Mendoj se kjo është pjesë e kulturës dhe e praktikës, dhe është një çështje që nuk ka të bëjë vetëm me një moment, por duhet parë në vazhdimësi. E thënë më thjesht, në Republikën e Maqedonisë, standardet për respektimin e të gjitha komuniteteve janë në një nivel shumë të lartë. Në asnjë rast nuk mendojmë se jemi thjesht e vetëm të kënaqur apo se këto përpjekje nuk duhet të vazhdojnë më tej, gjë që shihet mjaft qartë dhe me përfshirjen e të gjithë komuniteteve politike në Maqedoni. Ajo që është më e rëndësishme edhe në kuadër të Kushtetutës, është se të gjithë kanë të drejtë që t’i ushtrojnë këto të drejta, gjë e cila është në interesin tonë, më tepër se të çdokujt tjetër”, theksoi Popovski.

Marrëveshja e Ohrit ishte dokumenti i paqes që i dha fund konfliktit të vitit 2001 në Maqedoni, duke siguruar një bazë të gjërë të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. Por ajo 14 vite më pas akoma nuk është implementuar në tërësi, edhe pse përmbajtja e saj është inkorporuar edhe në Kushtetutë.

SHKARKO APP