Shqiptarët trafik me mafian italiane, furnizonin me drogë klanet e Sacra Corona Unita /Emrat
sacras corona unita, itali, klanet, shqiptareMediat italiane kanë publikuar emrat e shtetasve shqiptarë që bënin pjesë një grup të trafikut të drogës që furnizonte me lëndë narkotike klanet mafioze të Sacra Corona Unitas në Itali. Rrjeti ka përdorur gomone me 500 kuaj fuqi ndërkohë që shqiptarët ishin përgjegjës për transportin e drogës deri në Itali. Më pas në veprim hynin grupet mafioze italiane që bënin magazinimin dhe shpërndarjen e saj në destinacion.
Mediat italiane kanë publikuar emrat e shqiptarëve të akuzuar në dosjen e operacionit të fundit ndërkombëtar që ka vënë në pranga të paktën 30 persona.
Policia e rajonit të Gjenovës dhe ajo e Pulias ekzekutoi urdhërarreste për 14 shtetas shqiptarë dhe 15 italianë.
Agjencia italiane e lajmeve ANSA shkruan se anëtarët kryesorë të organizatës janë Armand Canaj (i njohur edhe si Armand Fisti), Bernard Petoshati dhe Bekim Fisti.
Hetimet zbuluan se anëtarë të klaneve mafioze të Sacra Corona Unita qarkullonin një pjesë të drogës me të cilën i furnizonte shoqata kriminale shqiptare.
Mafia italiane ishte përgjegjëse për ruajtjen e lëndës narkotike që mbërrinte në Itali duke u trafikuar nga Shqipëria me gomone transoqeanike deri në 500 kuaj fuqi.
Më pas marijuana shpërndahej sipas policisë e përmirësuar nga solucione që rrisnin efektin dhe fortësinë e saj duke e bërë të krahasueshme me kokainën.
Pas mbërritjes në Itali, lënda narkotike transportohej duke përdorur furgona që përdoreshin për transportimin e frutave.
Lënda narkotike vendosej në Romë, një ‘qendër magazinimi’ për tu shpërndarë më pas në qytetet e tjera të vendit.
Sipas hetimeve të cilat nisën në vitin 2016 pas kapjes së një ngarkese me drogë, banda shqiptare dyshohet se bashkëpunonte me eksponentë të grupit mafioz italian, “Sakra Korona Unita”, për të transportuar tonelata me hashash, marijuanë dhe kokainë nga ujërat e Shqipërisë drejt brigjeve italiane në Adriatik, në Pulia dhe Abruxo.
Të arrestuarit akuzohen përveçse për trafikimin, edhe për zhvatje dhe mbajtje të armëve pa leje. /Ora News