Shtëpi me 1 euro për amerikanët e mërzitur nga fitorja e Trump

Fshati Ollolai në ishullin italian të Sardenjës po ofron mundësi për amerikanët e interesuar të zhvendosen pas fitores të Trump në zgjedhjet presidenciale. Ky fshat malor, i njohur për bukuritë natyrore dhe traditat e pasura, ka parë një rënie të ndjeshme të popullsisë nga 2,250 banorë një shekull më parë në rreth 1,150 sot.

Ollolai ofron tri opsione strehimi: shtëpi falas për nomadë digjitalë, banesa të braktisura për vetëm 1 euro që kërkojnë rinovim dhe shtëpi gati për banim me çmime deri në 100 000 euro. Amerikanët kanë prioritet në këtë iniciativë, me një proces të përshpejtuar dhe mbështetje të plotë nga një ekip i posaçëm që ndihmon me procedurat dhe rinovimin.

Fshati ka nisur një faqe interneti të dedikuar për të promovuar këto mundësi, duke tërhequr tashmë mbi 38,000 kërkesa, kryesisht nga SHBA. Sipas kryetarit të bashkisë, Francesco Columbu, Ollolai synon të krijojë një “parajsë evropiane” për amerikanët që kërkojnë një mënyrë më të thjeshtë jetese larg politikës globale. Fshati është ideal për ata që dëshirojnë të jetojnë në harmoni me natyrën, me ajër të pastër dhe pamje të mrekullueshme. Përpjekjet për rigjallërim nuk kanë qenë aq të suksesshme sa pritej. Që nga viti 2018, vetëm 10 shtëpi prej 1 euro janë shitur dhe rinovuar. Kryetari Columbu shpreson se interesi i amerikanëve do të sjellë një kthesë pozitive për komunitetin e tij.

SHKARKO APP