Shtëpia e Bardhë: Tarifa e re për vizën e punëtorëve të kualifikuar do të paguhet vetëm një herë
Pas raportimeve se kompanitë e mëdha amerikane po përpiqeshin të përballonin një tarifë të re të lartë për vizat për punëtorët e huaj të kualifikuar, Shtëpia e Bardhë theksoi se kjo ishte një tarifë e vetme.
Të premten, presidenti i SHBA-së Donald Trump vendosi papritur një tarifë prej 100 000 dollarësh për vizat H-1B, të cilat më parë kushtonin vetëm një tarifë përpunimi prej disa mijëra dollarësh.
Sekretari i Tregtisë i SHBA-së, Howard Lutnick, foli për “100 000 dollarë në vit” në eventin e Shtëpisë së Bardhë ku u prezantua urdhri ekzekutiv.
Të shtunën, media amerikane raportoi se kompanitë e mëdha po i këshillonin urgjentisht punonjësit e huaj të qëndronin në vend dhe se ata që ndodhen aktualisht jashtë vendit duhet të ktheheshin brenda 24 orëve.
Një memo e brendshme e ”Amazon” tha se stafi që nuk mund të kthehej në kohë duhet të qëndronte në vend deri në njoftim të mëtejshëm, raportoi ”Business Insider” duke cituar punonjësit dhe komunikimet e brendshme në kompanitë teknologjike ”Amazon”, ”Meta” dhe ”Microsoft” si dhe në bankën ”JPMorgan”.
Të shtunën, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, theksoi se 100 000 dollarët “NUK ishin një tarifë vjetore. Është një tarifë e njëhershme që zbatohet vetëm një herë”.
“Ata që tashmë kanë viza H-1B dhe aktualisht janë jashtë vendit NUK do të ngarkohen me 100 000 dollarë për të rihyrë”, tha Leavitt në një postim në platformën e mediave sociale X.
Sipas ”Business Insider”, kompanitë e mëdha amerikane kanë frikë se punësimi i punonjësve të huaj mund të bëhet shumë më i shtrenjtë ose edhe i pamundur në të ardhmen nëse ata duan të rihyjnë në SHBA pas një qëndrimi jashtë vendit./ATSH/
KOHA JONË SONDAZH

