Shtetet e Bashkuara fusin në listën e zezë 12 anije ruse

Shtetet e Bashkuara futën zyrtarisht në listën e zezë mbi 12 anije ruse të përfshira në ndërtimin e tubacionit Nord Stream 2, pak ditë pasi nxorën nga lista kompaninë operatore ruse dhe drejtorin e saj ekzekutiv.

Veprimi ishte njoftuar paraprakisht më 21 maj nga Departamenti amerikan i Thesarit, ndërsa pati kritika të forta nga ligjvënësit republikanë ndaj njoftimit të Shtëpisë së Bardhë se vetë kompania operatore ruse nuk do të ishte më pjesë e sanksioneve.

Pothuajse i përfunduar, tubacioni i Detit Balltik do të sjellë gazin rus direkt në Gjermani, duke anashkaluar linjat rrugore përmes Ukrainës, Bjellorusisë dhe vendeve të tjera.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kritikët thonë se tubacioni do të shtojë varësinë e Gjermanisë nga energjia ruse dhe do ta bëjë Berlinin më të prekshëm nga politikat e Kremlinit. Gjithashtu ata thonë se tubacioni do t’i mohojë Ukrainës dhe vendeve të tjera fitimet nga tarifat për tranzitin.

Swiss Digital Mobile Reklama

Sidoqoftë, tubacioni është mbështetur nga qeveria e Kancelares Angela Merkel. Vëzhguesit politikë thanë se Presidenti Joe Biden duket se nuk zgjodhi grindjen me një aleat të Shteteve të Bashkuara për këtë çështje.

Departamenti i Shtetit në fillim të kësaj jave njoftoi synimin për të mos sanksionuar operatorin rus të gazsjellësit, Nord Stream 2 AG, dhe drejtorin ekzekutiv, Matthias Warnig, i cili është një aleat i Presidentit rus Vladimir Putin.

Senatorët republikanë thanë se do të hartojnë legjislacion për të rivendosur sanksionet.

“Nuk e kuptoj. A nuk duan ta zemërojnë Putinin? Nuk e kuptoj këtë. A nuk duan ta zemërojnë Gjermaninë?”, u tha gazetarëve më 20 maj Senatori Jim Risch, zyrtar i lartë republikan në Komisionin e Senatit për Marrëdhënieve me Jashtë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?