Shteti islamik tashmë ka dhe bankën e tij
Ekspertët ekonomikë irakianë janë të mendimit se ngritja e Bankës së parë nga ana e Shtetit Islamik është një akt lufte në fushën e financave, i shpallur pas humbjeve të konsiderueshme që ka pësuar grupimi terrorist në fushën e betejës.
Banka në fjalë, e cila është vendosur në Mosul, qytetin e dytë më të madh në Irak, raportohet të ofrojë shërbime të ndryshme për klientët, përfshi edhe depozita dhe tërheqje parashë, si dhe këmbime valutore.
Në nëntor 2014, ekstremistët shpallën edhe vendimin për të lëshuar monedhën e vet, duke prodhuar edhe monedha floriri dhe argjenti, në përpjekje për t’u shkëputur nga sistemi financiar irakian dhe ai sirian, dy shtete ku ata kanë marrë nën kontroll territore të shumta.
Gjithsesi, për shkak të mungesës së lëndës së parë dhe një sistemi të mirëfilltë financiar, monedha nuk arriti të depërtojë në treg.
“Ky veprim është bërë për të krijuar kaos, dhe është i pakuptimtë. Kjo bankë nuk ka asnjë bazë ligjore, por është vetëm një armik i Irakut. Është një luftë ndaj ekonomisë dhe popullit të Irakut”, thotë Mud’har Muhamed, këshilltar ekonomik pranë kryeministrit irakian. Ndërsa ekonomisti irakian, Abu Al-Zijadi thotë se duke qenë se e gjithë bota i ka shpallur luftë Shtetit Islamik, kjo bankë nuk do të njihet as nga vendet fqinje.
Ndërkohë, Këshilli i Sigurisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ka miratuar një rezolutë për ndërprerë fondet për Shtetin Islamik dhe Al Nusran, që vijnë nga shitja e naftës, trafikimi i artefakteve antike dhe parave për lirimin e pengjeve.
Këshilli paralajmëroi se çdo lloj marrëdhënie tregtare me Shtetin Islamik dhe çdo grupim tjetër të lidhur me Al-Kaedan do të konsiderohej si mbështetje ndaj organizatave apo personave të përfshirë në veprime terroriste.
KOHA JONË SONDAZH

