Si çmendet dynjaja…

FEJTON nga Thoma Goga

Nuk dihet kush qe i pari që e ka thënë: ”Në fshatin tim a në fshatin tënd, një i çmendur gjithë vendin çmend”. Kushdo që ta ketë thënë, tani kjo ka marrë dhen’ dhe është bërë “pasuri” e Sovranit. E dëgjova këtë aforizëm pak vite më parë kur ia përplasnin njëri- tjetrit politikanët. Me këtë gjuhë flisnin në parlament, në konferenca shtypi apo në debate televizive. Në fillim nuk i kushtova rëndësi. Pastaj vrava mendjen; si ka mundësi që një i çmendur të prishë nga trutë gjithë vendin?! Ama, populli që e ka thënë, është menduar thellë. Dhe kur e thotë Sovrani, duhet të ketë një bazë. Enigma që më mundonte, u zgjidh shpejt. Do të rrëfejë këtë mesele xhaxhai, që ma ka rrëfyer rastësisht një xhaxha tjetër… Se edhe këtë mësim Sovrani na e ka lënë. Ndërsa ju i vini kapak muhabetit në fund…

…Në një provincë jetonte mirë e bukur një çift pleqsh. Jetonin si gjithë të tjerët me gjithë hallet e mëdha që nuk u ndaheshin. Kishin vetëm një lopë. Ishte lopë race nga ato që i kishin gjinjtë marshallah… E milnin dhe shisnin qumështin. Sa më shumë qumësht, më shumë klientelë. Kuptohet, më shumë para. Kur erdhi dita për t’u mbarsur, e çuan tek demi race i kooperativës. Edhe ky ishte marshallah…E lopa polli dy viça femra që u bënë mëshqerra marshallah. Lopës dhe demit i doli nami i mirë. Fshatarët donin që edhe lopët e tyre të kishin të njëjtin fat; të bënin nga dy mëshqerra marshallah…E çonin lopën tek demi ”usta”. “Loja” po hapej me shpejtësi. Po shtohej vërtetë raca e lopëve marshallah. Kur u rritën mëshqerrat, donin më shumë ushqim. Ndaj fshatarët mbanin një mëshqerrë, tjetrën e shisnin. Domosdo dhe fshatari e njeh mirë ekonominë e tregut brenda oborrit të tij…

Swiss Digital Desktop Reklama

Po një ditë… Ah, për atë ditë! U hap lajmi se lopa e parë që hapi këtë “lojë”, na paskej qënë e sëmurë. Thanë se kishte pasur sëmundjen e “çmendurisë”. Edhe ata që pinin qumështin e saj filluan të kishin shenjat e kësaj sëmundjeje. Njerëzit llafoseshin me vete. Kishin ethe. Dridheshin. Imitonin kafshët, zogjtë, politikanët… Dihet, i pari që e kishte marrë këtë “virus” ishte demi. Pastaj e morën lopët e fshatarëve që i çonin tek demi “marshallah” për ashtu… Pastaj ishin prekur mëshqerrat që u shitën në fshatra të tjerë. Mëshqerrat ishin bërë lopë dhe nga qumështi përhapej “virusi”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Po si do zgjidhej kjo punë? Askush nuk jepte një mendje. Ca thoshin ta zhdukim rracën e këtyre lopëve. Ky ishte një mision i pamundur se lopët ishin shtuar me progresion gjeometrik. Dikush tha që të ekzekutohej demi. Ja e zhdukëm. Punë e madhe. Ai e kishte “mbjell rasatin”. Njerëzit sëmureshin me progresion aritmetik. “Virusi” ishte ngulur thellë e s’kishte derman të gjenin shërim. Kishte plasur çmenduria. Shanin e mallkonin njëri – tjetrin, pastaj qumështin, pastaj lopët, pastaj demin, pastaj… U bë si në atë përrallën e rrepës. Për të shkulur një rrepë, gjyshi thirri në ndihmë gjyshen, gjyshja mbesën dhe mbesa qenin…Po kohët kanë ndryshuar dhe tashti nuk vjen njeri për ta shkulur, por për ta ngulur… Kuptohet, për t’ia ngulur njëri-tjetrit.

A thua që kjo mesele të këtë lidhje me këtë rracën e politikanëve tanë që janë bërë më keq se ajo lopa e parë që çmendi tërë dynjanë? Ca gojë të liga thonë PO, ca të tjera i vënë kyçin. Nuk e di, po ajo fjala e urtë, “Në fshatin tim a në fshatin tënd, një i çmendur gjithë vendin çmend”,  ngjajshmërinë e ka fare afër.

E dini pse ma rrëfeu mua ai xhaxhai i parë? Ia kishte lënë amanet një tjetër xhaxha para tij. Ndaj dhe unë u detyrova t’ua rrëfeja juve e ju t’ua rrëfeni të tjerëve. Jo për gjë, po që të ruheni nga “lopët e çmendura”.

Dhe tani në fund i vini kapak muhabetit sipas oreksit dhe sipas respektit…

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?