Si do të ishte një pushtim rus i Ukrainës? Ja cilët janë 3 skenarët më të mundshëm

Pavarësisht se Kremlini pretendon të kundërtën, Ukraina mbetet e rrethuar nga trupat ruse, si përgjatë kufirit të saj të gjatë me Rusinë, po ashtu edhe nga brenda Krimesë së pushtuar. Federata Ruse ka vendosur atje forca të shumta tokësore, ajrore dhe detare, që i japin Moskës një sërë mundësish nëse do të synojë të nisë veprimet ushtarake.

Nuk është hera e parë që trupat ruse duken të gatshme ta sfidojë sovranitetin e Ukrainës. Dhe Perëndimi duket se nuk e di se çfarë të bëjë në këtë situatë, pa rrezikuar luftën midis shteteve të armatosura me armë bërthamore. Rusia e ka krijuar terrenin për operacionet ushtarake kundër Ukrainës që nga viti 2014, kur pushtoi Krimenë, duke fituar një bazë të madhe ushtarake në jug.

Ndërkohë, lufta e vazhdueshme në rajonin ukrainas të Donbasit në lindje, i jep mundësi njësive ruse të sigurisë dhe inteligjencës të vazhdojnë të vlerësojnë operacionet ushtarake të palës kundërshtare. Në pranverën e vitit të kaluar, Rusia i shtoi veprimet kundër Ukrainës.

Ajo ndërmori sulme kibernetike dhe fushata keqinformuese, si dhe ndërpreu furnizimin me energji të vendit fqinj. Shërbimi i Sigurisë në Ukrainë ka identifikuar brenda kufijve të saj disa njësi operative të Shërbimit Federal rus të Sigurisë, Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme, Inteligjencës Ushtarake dhe Forcave Speciale ruse. Nëse ndodh një sulm ushtarak, ai do të zhvillohet në një nga këto 3 mënyra:

Skenari i parë: Rrëzimi i udhëheqjes aktuale në Ukrainë

Në këtë skenar, forcat ushtarake dhe të sigurisë ruse do të përpiqen të rrëzojnë qeverinë aktuale në Kiev, për ta zëvendësuar atë me njerëz që janë më pro-rusë. Kjo do të kërkonteedhe mbajtjen në detyrë të disa njerëzve që tashmë janë duke punuar në administratën publike ukrainase.

Dhe në fakt ka disa figura që kanë treguar simpati dhe kanë bashkëpunuar me Federatën Ruse. Ky skenar mund të përfshijë edhe njësitë e sigurisë dhe të inteligjencës në Ukrainë, si dhe njësi nga ato që janë angazhuar në stërvitjet ushtarake që po zhvillohen aktualisht në Bjellorusi.

Shqetësimi më i madh për Rusinë në këtë skenar, do të ishte se si do të reagonte ushtria dhe policia ukrainase. Por ndërkohë, mund të ketë edhe një reagim publik të konsiderueshëm kundër një ndryshimi të qeverisë të imponuar nga Moska.

Skenari i dytë: Do ketë luftë vetëm në Ukrainën Lindore

Në këtë rast, trupat ruse do të synonin të përforconin mbrojtjen e rajoneve të shkëputura në Donbas me armë, furnizime dhe të dhëna nga shërbimet sekrete. Më pas këto zona do të përdoren si një trampolinë për të marrë më shumë territore ukrainase, kryesisht ato zona ku jetojnë rusët etnikë dhe ukrainasit rusisht–folës.

Një manovër e tillë mund t’i çojë trupat ruse deri në lumin Dnjepër, i cili ndan vendin në lindje dhe perëndim. Kjo vijë ndarëse mund të shtrihet përgjatë bregut të Detit të Zi deri në kufi me Moldavinë (ku ndodhet një rajon tjetër separatist nën kontrollin e Rusisë).

Një operacion i tillë do të mbështetej nga forcat ushtarake të stacionuara përreth rajonit rus të Rostov–mbi–Don, në lindje të Ukrainës, forcat në jug të stacionuara në Krime, por edhe batalionet e motorizuara të ushtrisë ruse të stacionuara në Transnistrian separatiste në Moldavi.

Skenari i tretë: Pushtim i plotë i Ukrainës

Në këtë skenar trupat ruse do të përdorin përvojën e fundit në operacionet luftarake në Siri, për të mposhtur çdo kryengritje popullore kundër forcave ruse. Kjo qasje do të kishtepasojat shkatërrimtare për popullin e Ukrainës. Do të kishte një numër të lartë viktimash në radhët e forcave ushtarake dhe policore të Ukrainës, por edhe tek popullatat lokale që janëpranë fushëbetejave.

Po ashtu, do të ketë flukse të mëdha refugjatësh drejt Perëndimit të Ukrainës dhe në shtetet kufitare të Polonisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Moldavisë. Një krizë e tillë refugjatësh, mund të jetë më e madhja në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Pasoja të frikshme

Është e rëndësishme të theksohet se këto skenarë nuk janë reciprokisht përjashtues të njëri-tjetrit. Madje,nëse Kremlini nuk është i kënaqur me ndryshimet që sheh në Ukrainë apo në Perëndim, ato skenarë mund të ndodhin njëri pas tjetrit.

Pavarësisht se çfarë bën Rusia, vendet e tjera që kanë mosmarrëveshje të pazgjidhura për territoret e shkëputura, si Moldavia me Transnistrinë dhe Gjeorgjia me Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë, do t’i shikojnë me nervozizëm këto zhvillime. Një fitore e Rusisë në Ukrainë,mund të nxisë veprime kundër këtyre vendeve në të ardhmen.

Dhe nëse Perëndimi dështon që të reagojë me forcë, edhe vende si Estonia dhe Letonia mund të përballen me kërcënime në të ardhmen. Kërcënimi ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës, e ka vendosur Perëndimin në një pozitë të vështirë. Ai duhet të vendosë se si të përballet me një Rusi luftarake, dhe deri ku duhet të zgjerohet, në Ukrainë, Gjeorgji, apo më gjerë.

Dhe vendimmarrja e tij nuk ndihmohet aspak nga fakti që Shtetet e Bashkuara këto kohë janëmë shumë të shqetësuara për Kinën, Detin e Kinës Jugore dhe statusin e Tajvanit, sesa përfatin e Evropës Lindore. Për më tepër, nëse nuk ka një përgjigje të besueshme ndaj Ukrainës përmes diplomacisë, ndihmës ushtarake, ndoshta edhe reagimit ushtarak, në rrezik mund të jetë edhe ardhmja e NATO-s.

Një humbje e tillë e besueshmërisë, do të ishte një fitore e madhe për Rusinë, e cila e sheh aleancën si një kërcënim për sigurinë e saj kombëtare dhe për strategjinë e saj globale për të rifituar fuqinë që kishte dikur. Pra nuk mund të nënvlerësohet rëndësia e situatës në Ukrainë./ Bota.al

SHKARKO APP