Si Japonia ia doli të mbajë nën kontroll koronavirusin?

Koronavirusi nuk i shqetësonte japonezët që po shijonin lulet e qershive fundjavën që kaloi. Me mijëra njerëz u ulën nëpër parqe, hëngrën drekat e marra me vete, pinë birra dhe bënë foto me gonxhet e sapohapura.

“Hanami, festivali i luleve, është momenti më i rëndësishëm i vitit për ne,” tha një punonjës i Ueno Park, në Tokio.

Kontrasti me Europën nuk mund të ishte më i fortë. Japonia, deri më tani, ka pasur dhjetë vatra shpërthimi, rreth 1200 raste të konfirmuara dhe 43 të vdekur prej koronavirusit. Çdo ditë raportohen 10-12 raste të reja. Këto shifra duhet të ishin shumë herë më të larta. Fundja, Japonia është shumë e populluar, ka dendësinë më të madhe të të moshuarve në botë dhe është shumë pranë Kinës, nga ku doli virusi; në janar thuajse një milion kinezë udhëtuan drejt Japonisë, ndërsa në shkurt thuajse 90 mijë shkruan taiwannews

Qeveria japoneze reagoi kundër pandemisë duke mbyllur gjithë shkollat për dy javë para festave të pranverës në fund të marsit dhe anulloi gjithë eventet publike. Dyqanet dhe restorantet mbetën hapur dhe disa punonjës vendosën të punojnë nga shtëpia.

Shifrat e ulëta të të prekurve me Covid-19 ngritën dyshimin në mos qeveria po fshihte të vërtetën. Edhe pse ka kapacitet të kryejë gjashtë mijë teste në ditë, Japonia ka testuar vetëm 14 mijë njerëz deri më sot – 20 herë më pak se Korea e Jugut fqinje që është goditur fort nga pandemia.

Testohen vetëm pacientët me simptoma të rënda, tha Masahiro Kami, virolog në Medical Governance Research Institute. Kjo do të thotë, sipas tij, që numri i rasteve të pallogaritura është shumë i lartë, raporton abcnews.al

Ekspertët në Ministrinë e Shëndetësisë japoneze thanë se presin shpërthime për të marrë situatën nën kontroll. Kjo strategji funksionon më mirë sesa kryerja e testeve pa kriter. Gjithashtu, testimet e pakta bëjnë të mundur që spitalet të jenë lehtësisht të aksesueshme nga ata që kanë vërtet nevojë dhe jo nga gjithë ata që dyshojnë.

Gjithashtu, etika e përshëndetjeve në Japoni  – një përkulje në vend të puthjeve apo dhënies së dorës – luajti një rol të rëndësishëm në ngadalësimin e pandemisë.

“Larja e duarve, gargara me solucion dizinfektant dhe mbajtja e maskave janë pjesë të përditshmërisë në jetët tona. Nuk kemi nevojë për koronavirusin që t’i mësojmë këto gjëra,” tha një nënë japoneze. Si rezultat, japonezët e patën mëse të thjeshtë të përshtateshin me rregullat e reja të higjenës në kushte pandemie që në të vërtetë, s’ndryshojnë shumë nga normalet. Dyqanet dhe bizneset mundësuan xhel antibakterial në hyrje dhe qytetarët u detyruan të mbajnë maska.

Në gjithë Japoninë shiten rreth 5.5 miliardë maska çdo vit – 43 për person. Shitjet e maskave kapën majat kur nisi pandemia dhe njerëzit presin me durim në rradhë për të marrë tyren. Dyqane të tjera sheshin pëlhura dhe filtra kafeje, bashkë me udhëzimet për të bërë një maskë në shtëpi.

Japonezët e kanë kuptuar se mund të jesh infektuar pa pasur simptoma; vendosin maska që të mbrojnë të tjerët,raporton abcnews.al

Duke parë suksesin, qeveria u frenua nga shpallja e gjendjes së emergjencës. Japonezët i janë rikthyer ngadalë jetës. Disa fëmijë i janë kthyer mësimit dhe ulen larg njëri-tjetrit në dhoma të ajrosura. Parqet janë hapur, por ata me temperaturë janë këshilluar të qëndrojnë në shtëpi.

Të trembur nga një valë e dytë infeksionesh, vetëm shkollat në zonat pa pacientë me Covid-19 janë lejuar të hapen në fillim të semestrit, në prill. Eventet publike janë ende të ndaluara.

Vizitorët e huaj përbëjnë rrezik për shëndetin e japonezëve. Shtetasit e Europës dhe Koresë së Jugut nuk lejohen të hyjnë në Japoni. Të huajt që jetojnë atje mund të kthehen, por duhet të karantinohen për 14 ditë.

Sipas informacionit jozyrtar, masat do të qëndrojnë në fuqi deri të paktën në fund të prillit.

SHKARKO APP