Si koronavirusi ndryshoi funksionimin tradicional të politikës në SHBA
Që nga mesi i marsit, pandemia e koronavirusit ka ndryshuar politikën amerikane, mënyrën e të bërit fushatë dhe të mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale 2020.
Mënyra tradicionale e të bërit politikë në Shtetet e Bashkuara kërcënohet nga koronavirusi, përfshirë shkuarjen në qendrat e votimit, tubimet e zhurmshme dhe kuvendet e partive.
“Tani po debatohet nëse kuvendet kanë peshë”, i tha Zërit të Amerikës, John Hudak, një ekspert fushatash dhe zgjedhjesh në Institutin Brookings.
“Do të mungojë kolegjialiteti, prania e njëri-tjetrit, takimi në kuvend i njerëzve që nuk shihen aq shpesh, por nuk jam e sigurt sa rëndësi ka kjo për aktivitetin real të një fushate zgjedhjesh”, thotë Karlyn Bowman, analiste e opinionit publik në Institutin “American Enterprise”.
Ajo thotë se shumë amerikanë ende duan të votojnë personalisht, por duan të kenë edhe alternativën e votës me postë.
“Historikisht njerëz që votojnë me postë, i hedhin votat vetë, që mendoj se është diçka interesante në përgjithësi. Por kemi të bëjmë me një territor të panjohur”, thotë zonja Bowman.
Në zgjedhjet paraprake, disa shtete arritën t’i numërojnë në kohë votat me postë, ndërsa i mbajtën qendrat e votimit të hapura.
Por disa shtete, patën vonesa në numërimin dhe çertifikimin e votave.
“Për fat të keq vendimi për të votuar me postë erdhi papritur për shumë vetë. Nuk ishte bërë ndonjë planifikim afat-gjatë për skenarin e një pandemie ku njerëzit nuk dalin dot nga shtëpia. Por tani duhet menduar për këtë lloj situate dhe duhet vepruar shpejt dhe që kjo metodë të jetë efektive, duhet të dalë me sukses herën e parë”, thotë zoti Hudak.
Presidenti Donald Trump ka thënë se votimi me postë nuk duhet zgjeruar, duke marrë si shembull disa raste sporadike mashtrimi.
“Ai po përdor argumentin që votuesit demokratë kanë më shumë gjasa të votojnë me postë sesa ata republikanë dhe kjo në një mënyrë të çuditshme i mobilizon republikanët”, thotë analisti Kyle Kondik, i Qendrës për Politikë në Universitetin e Virxhinias.
Ai thotë se amerikanëve do t’u mungojë një element jetik i fushatës këtë vit.
“Të jesh politikan do të thotë të komunikosh nga afër me njerëzit, të shtrëngosh duar, të përqafosh. Mendoj se ndonjëherë Joe Biden është akuzuar se e tepron në komunikimet me njerëzit, por ai njihet edhe si natyrë e ngrohtë që afrohet me njerëzit. Sot nuk e bën dot një gjë të tillë”, thotë zoti Kondik.
“Është e qartë që fushata e zotit Trump, ende po mbështetet tek kontaktet direkte. Fushata e zotit Biden, ka qenë shumë më tepër virtuale. Do të shohim se cila mënyrë funksionon. Në këto kushte nuk e di nëse do t’i hapja derën një të panjohuri”, thotë zonja Bowman.
Një virus i vogël ka transformuar fushatën e vitit 2020, dhe politikën me të cilën ishim mësuar.