Si në skenat e filmave aksion, persona të armatosur sulmojnë mjetin e blinduar në autostradë
Skena që të kujtojnë filmat e tipit “far west” janë regjistruar sot në rajonin e Pulias, në jug të Italisë. Situata me tension të lartë u shënua në superstradën 623 Lecce–Brindisi, pranë zonës së Tuturanos, ku një grup i organizuar dhe i armatosur ka sulmuar një mjet të blinduar që transportonte para, raportojnë mediat italiane, mes tyre edhe “Il Messaggero”.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në rrugën që lidh Leçen me Brindisin. Autorët e grabitjes kanë ndërprerë qarkullimin duke u paraqitur si punonjës sigurie dhe më pas kanë përdorur lëndë shpërthyese për të çarë furgonin që transportonte para dhe objekte me vlerë.
Sipas të dhënave paraprake, grabitësit kanë bllokuar rrugën duke vendosur një kamion në mes të kryqëzimit dhe duke i vënë flakën, gjë që ka detyruar automjetin e blinduar të ndalojë.
Në operacion dyshohet se kanë marrë pjesë të paktën tetë persona, të cilët kanë mbërritur me tre automjete të pajisura me drita blu, të ngjashme me ato të forcave të rendit.
Gjatë largimit të tyre, pranë daljes së Cellino San Marco në drejtim të Leçes, ka pasur një përplasje me armë zjarri mes grabitësve dhe karabinierëve. Një plumb ka goditur një automjet shërbimi të karabinierëve, duke thyer xhamin në anën e drejtuesit dhe duke kaluar përmes kabinës, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar.
Një karabinier jashtë shërbimit ka tentuar të ndjekë autorët, por makina e tij është goditur qëllimisht dhe ka përfunduar jashtë rruge.
Ende nuk është e qartë nëse grabitja ka qenë e suksesshme, pasi ekziston dyshimi se sistemi i sigurisë i automjetit të transportit të vlerave mund të ketë aktivizuar mekanizmin mbrojtës me shkumë.
Ndërkohë, tre persona të dyshuar si pjesë e grupit janë ndaluar dhe arrestuar në zonën mes Campi Salentina, Guagnano dhe San Donaci. Ata janë kapur teksa lëviznin me një automjet të tipit “Alfa Romeo Stelvio”. Hetimet vazhdojnë për identifikimin e anëtarëve të tjerë të bandës dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
KOHA JONË SONDAZH

