Si të vaksinosh 6 milionë persona për 1 muaj?
2021 ka nisur me vaksinimin e botës nga Covid-19. Por a është e mundur që brenda një kohe të shkurtër të vaksinohen me milion njerëz? Një shembull i mirë sesi realizohet vaksinimi masiv i popullatës vjen nga arkivat amerikane, saktësisht nga Nju-Jorku i vitit 1947, ku më shumë se 6 milionë persona u vaksinuan praktikisht “brenda natës”, duke frenuar përhapjen e një tjetër epidemie, shumë më vdekjeprurëse sesa ajo e Covid-19.
Në shkurt të atij viti, virusi i lisë mbërriti në Nju-Jork nga Meksiko Siti, përmes biznesmenit amerikan Eugene Le Bar. Brenda 1 muaji, përmes një bashkëpunimi të autoriteteve federale dhe shtetërore, u arrit imunizimi i të gjithë banorëve të qytetit. Si rezultat, edhe pse virusi ishte tepër ngjitës dhe vdekjeprurës, nga sëmundja humbën jetën vetëm 2 persona, vetë Le Bar dhe një tjetër.
Të gjithë punonjësit dhe pacientët e spitalit u vaksinuan, si edhe të gjithë personat që kishin qëndruar në hotelin e Le Bar. Por virusi tashmë ishte përhapur. Në 4 prill, Shërbimi i Shëndetit Publik u njoftua për atë që po ndodhte dhe menjëherë u hartua plani për vaksinimin masiv. Mediat, gazeta, radio dhe televizione, njoftonin vazhdimisht njerëzit për t’u vaksinuar, ndërsa kompanitë e prodhimit të vaksinave nisën punën pa ndërprerje, 24 orë në ditë, për të siguruar sasinë e nevojshme.
650 mijë doza u dorëzuan menjëherë, ndërsa qindra mijëra të tjera mbërritën në qytet përmes ushtrisë. Më 21 prill, vaksinën e mori edhe presidenti Harry Truman, sipas raportimeve të mediave të kohës. Për më pak se një muaj, 6 350 000 nju-jorkezë u vaksinuan, më shumë se 5 milionë brenda dy javësh.