Si u vranë barbarisht dy policët brenda komisariatit në Itali
Dy policë, 34-vjeçari Pierluigi Rotta dhe 30-vjeçari Matteo De Menego humbën jetën brenda në komisariatin e Triestes. Ata u ekzekutuan nga një emigrant nga Republika Dominikane, i cili së bashku me vëllain ishin arrestuar si të dyshuar për grabitjen e një motori.
Teksa po merrej në pyetje, 29-vjeçari Alejandro Augusto Srtephan Mera kërkoi të shkonte në tualet dhe në kohën kur dy punonjësit e policisë e shoqëruan ai i goditi befasisht duke i rrëmbyer njërit prej tyre pistoletën. Menjëherë, i riu hapi zjarr ndaj policëve dhe i ekzekutoi në vend.
Fill pas kësaj tentoi të largohej por u plagos dhe bllokua nga forcat policore. Vëllai, 32-vjeçari u përpoq të përfitonte nga situata e të arratisej por nuk ia doli.
Presidenti i Republikës, Sergio Mattarella, ka shprehur dhimbjen për këtë ngjarje të rëndë, respektin e tij ndaj punës së punonjësve të ruajtjes së rendit si dhe ngushëllime ndaj familjarëve të viktimave. Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Franco Gabrielli, e konsideron këtë ngjarje një vrasje barbare të dy policëve që po kryenin detyrën e tyre.