Siri, 215 mijë të vrarë në 4 vjet: Kerri kërkon bisedime me Assad

Sekretari amerikan i Shtetit, për herë të parë nuk ka thënë se presidenti sirian duhet të japë dorëheqjen. Ndërkohë luftimet vazhdojnë.

Dje janë bërë katër vjet që nga fillimi i luftës në Siri. Konflikti ka vrarë mbi 215 mijë njerëz që prej 15 marsit 2011, kur nisi revolta kundër regjimit të presidentit Bashar al-Assad. Bilanci u paraqit dje nga Observatori sirian për të drejtat e njeriut. “Kemi përllogaritur 215 518 të vdekur në katër vjet luftë, prej të cilëve 66 109 civilë”, – ka pohuar Rami Abdel Rahmane, drejtori i OJQ-së, sipas të cilit, vetëm që prej fillimit të shkurtit në luftë kanë vdekur mbi 5 mijë njerëz.

Rreth 3.8 milionë është numri i refugjatëve, gjysma e të cilëve janë fëmijë. Ata kanë gjetur strehim në vende të ndryshme: Turqia ka pritur 1.7 milionë refugjatë, Libani 1.2 milionë, Jordania 622 mijë, Kurdistani irakian 250 mijë, Egjipti 136 mijë. Mbi 4.8 milionë sirianë jetojnë në vende që janë teatër luftimesh apo ku është tepër e vështirë të hyhet. Mbi 12.2 milionë sirianë kanë nevojë për ndihma humanitare emergjence për të mbijetuar. Bilanci i ndihmave humanitare për 2015-n është 8 miliardë dollarë; deri më sot është gjetur mbulimi vetëm për 2% të kësaj shume.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë iluzion. Sipas asaj që deklaroi sekretari i Shtetit, Xhon Kerri, në një intervistë të dhënë për CBS, është e nevojshme që të negociohet me Bashar al-Assadin për t’i dhënë fund konfliktit në Siri, që po hyn në vitin e tij të pestë. Është hera e parë që Kerri nuk e thekson se Assadi e ka humbur legjitimitetin dhe se rruga drejt paqes lidhet me dorëheqjen e tij nga pushteti. “Duhet të negociojmë. Kemi synuar gjithnjë bisedimet në kuadër të Gjenevë I”, – tha Kerri duke e pasur fjalën për konferencën e 2012-s, që kërkonte një tranzicion të negociuar drejt fundit të konfliktit, dhe nënvizoi që Uashingtoni po punon për të “rindezur” përpjekjet dhe për të gjetur një zgjidhje politike për konfliktin. Sipas shefit të diplomacisë amerikane, do të jetë e nevojshme “të rritet trysnia ndaj Assadit” për ta ulur në tryezën e negociatave.

Ndërkohë të premten, ushtria siriane ka goditur një grup luftëtarësh që janë të lidhur me kaedistët e Frontit Nusra në Sirinë jugore, sipas asaj që bëjnë të ditur mjekët, të cilët thanë se ka me dhjetëra të vdekur mes integralistëve, përfshi edhe tre funksionarë të lartë. “Ushtria ka goditur fshatrat e Kuneitras, duke vrarë me dhjetëra terroristë, mes të cilëve edhe tre prej udhëheqësve të tyre”, – bënte të ditur agjencia shtetërore Sana. Observatori sirian për të drejtat e njeriut denoncoi një tjetër masakër të ndodhur dje në periferinë e Damaskut. Aeroplanët e qeverisë kanë “bombarduar Douma, duke shkaktuar 18 të vdekur dhe 100 të plagosur, përfshirë gra dhe fëmijë”.

Sakaq, tre adoleshentë britanikë që synonin t’i bashkoheshin ISIS-it, janë arrestuar në Stamboll nga policia turke. Lajmi është bërë i ditur nga disa burime të forcave të sigurisë në Ankara. Tre të rinjtë që për momentin do të qëndrojnë të burgosur në Stamboll, janë të moshës nga 17 deri në 19 vjeç. “Të premten, inspektorët e njësisë antiterror janë informuar për dy djem 17-vjeçarë të lagjeve në verilindje të Londrës, që ishin zhdukur dhe se po udhëtonin për në Siri”, – shpjegoi Scotland Yard. “Hetimi nxori në pah se ata po shoqëroheshin nga një person i tretë 19-vjeçar. Inspektorët kanë lajmëruar autoritetet turke, të cilat i pikasën të rinjtë, duke ua ndaluar vajtjen në Siri. Tani ata ndodhen në burg, në Stamboll”. Arrestimi është i bërë i mundur pas më pak se një muaji nga arratia e tri vajzave të moshës 15 deri në 16 vjeç, të një gjimnazi të kryeqytetit britanik, të cilat ia mbathën për t’iu bashkuar ISIS-it. Ato u nisën me një fluturim nga Londra për në Stamboll, nga ku më pas iu drejtuan kufirit sirian me autobus

SHKARKO APP