Siri, ISIS vret më shumë se 70 anëtarë të forcave qeveritare

Më shumë se 70 anëtarë të forcave qeveritare siriane janë vrarë gjatë 24 orëve të fundit nga militantët e Shtetit Islamik, ka bërë të ditur Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut. 
Militantët e ISIS kanë ndërmarrë sulme të shumta në Homs dhe në Hama ndaj pozicioneve të drejtuara nga forcat qeveritare, si dhe në pikat e kontrollit. 
Drejtori i Observatorit, Rami Abdel Rahman tha për ‘AFP’ se rreth 50 persona mbetën të vrarë në një fshat në Hama. Ndërkohë që gjatë shkëmbimit të zjarrit kanë mbetur të vrarë edhe disa militantë të ISIS, por nuk dihet numri i viktimave në radhët e terroristëve. 
Zonat kryesore në Homs dhe në Hama janë të kontrolluara nga forcat e Asad, ndërsa ISIS ka nën kontroll disa territorë në lindje të këtyre dy krahinave.  
"ISIS ka hasur pengesë kohët e fundit në krahinat e Aleppo, Raqa dhe në Hasakeh në konfrontime me kurdët në njërën anë dhe forcat e regjimit në anën tjetër dhe tani po kryejnë sulme në Homs dhe në Hama për të kompensuar humbjet”, tha Rahman.

SHKARKO APP