Situata e koronavirusit: Mediat greke i bëjnë apel qeverisë për ndihmë financiare
Emergjenca e koronavirusit ka sjellë probleme ekonomike të shteteve në mbarë botën.
Qeveritë kanë ndarë ndihmat e tyre për të lehtësuar situatën për bizneset dhe familjarët.
Mirëpo, ashtu si në Shqipëri, as ndihma e qeverisë greke nuk i përfshin mediat, ndaj ato i kanë bërë një apel publik qeverisë.
Mediat greke tregojnë se po kalojnë në kolaps për shkak të mungesës së reklamave dhe s’kanë fonde të paguajnë gazetarët, të cilët në këtë kohë kaq të vështirë janë në krye të detyrës për të raportuar dhe informuar popullin.
Mediat kërkojnë që qeveria të marrë masa urgjente për t’i ndihmuar, pasi pa ndihmën e qeverisë nuk mund të punojnë.
E njëjta situatë ka ndodhur edhe në vendin tonë, ndërsa Unioni i Gazetarëve i ka bërë thirrje kryeministrit Rama që të mos i penalizojë gazetarët.
Aktualisht mediat në vendin tonë po reduktojnë stafet deri në 70%, në pamundësi për t’i paguar dhe përjashtimi i tyre nga vendimi i qeversë përbën “një akt të pastër ndëshkues dhe penalizues për bukën dhe jetesën e gazetarëve dhe familjeve të tyre”, thuhet në reagimin e unionit.
Pavarësisht kësaj, ende nuk kemi asnjë reagim nga qeveria për situatën financiare me të cilën po përballen mediat shqiptare, të cilat deri dje quheshin “kazan” nga Kryeministri, ndërsa sot janë bërë të domosdoshme në këtë emergjencë.
Mediat janë të vetmet biznese që vazhdojnë non-stop punën e tyre, përpos industrisë ushqimore, farmaceutikës dhe bankave.
Ato po luajnë një rol kryesor në informimin dhe ndërgjegjësimin e publikut, ndaj shpresojmë që së shpejti të kemi një reagim nga qeveria lidhur me ndihmën që mund t’i ofrohet mediave në këtë situatë të vështirë.