Sot Franca me tjetër pamje. U hapen bar-restorantet, plazhet, parqet dhe shkollat, por jo aktivitetet e mëdha sportive

Mentor Hoxha

Nga Mentor HOXHA (Paris)
Sot, Franca doli pothuajse krejtësisht nga izolimi 78 ditor që nisi në pasditen e 17 marsit me dekret të Presidentit francez, Emmanuel Macron për shkak të coronavirusit vdekjeprurës Covid-19, i cili ka shkaktuar gjer më sot mbi 376. 445 mijë viktima në mbarë botën, 6.309.107 të infektuar dhe 2.721.088 të shëruar. Për zbatimin e dekretit presidencial francez u mobilizuan mbi 100 mijë policë, të cilët dolën në rrugët e Francës për të kontrolluar zbatimin e masave nga qytetarët. Në ditën e kufizimit të lëvizjes së 67 milionë francezve, Franca numëronte 7730 persona të infektuar me covid-19, 175 të vdekur dhe 669 në reanimacion. Aktualisht, Franca renditet në vendin e shtatë në botë për nga numri i të të vdekurve dhe i të infektuarve me koronavirus Covid -19. Nga të dhënat zyrtare që dha mbrëmë Ministria e Shëndetit publik të Francës, bëhet e ditur se numri i të vdekurve në Francë deri në mbrëmjen e sotme është 28 mijë e 833. Në 24 orët e fundit janë shënuar 31 vdekje në spital, ndërkohë 1302 persona të infektuar ndodhen në reanimacion, ku 17 i përkasin 24 orëve të fundit. Nisur nga ulja e ndjeshme e kurbës së viktimave dhe e të infektuarve, kryeministri francez, Edouard Philippe tha të enjten se Franca po bën përparim të madh në luftën ndaj përhapjes së koronavirusit, ai vendosi që me 2 qershor të nis faza e dytë e heqjes së masave lehtësues, pas fazës së parë të hapjes që nisi më 11 maj ku u hapën kopshtet, çerdhet dhe njësitë e vogla tregtare. Më 11 maj, kur filloi faza e parë e rihapjes, Franca numronte 23 660 persona të vdekur, 129 859 te infektuar dhe 46 886 të shëruar. Gjatë prezantimit të planit të rihapjes në fazën e dytë, kreu i qeverisë franceze, Edouard Philippe e vuri theksin edhe tek masat që duhet të merren për zona të veçanta ku virusi akoma nuk është larguar dhe paraqet rrezikshmëri.
Ditën e sotme, kur nisi edhe faza e dytë e lehtësimit të masave për rimkëmbjen e ekonomisë dhe të biznesve, janë hapur bar-restoranet, parqet, plazhet dhe një pjesë e madhe institucioneve arsimore. Kafenetë, baret dhe restorantet u rihapen vetëm në zonën “jeshile”, kurse në zonën “portokalli”, funksionuan vetëm tarracat me rregulla të rrepta sanitare: 10 persona maksimal për tryezë, me një distancë prej një metri midis secilës tryezë dhe maskë për stafin dhe klientët kur janë në lëvizje. Në bare, nuk lejohet konsumimi në këmbë brenda. Kryeministri tha se në zonat “jeshile” ku virusi qarkullon ngadalë, duhet të ketë një distancë minimale prej 1 metrash midis tabelave. Në zona “portokalli” të tilla si rajoni Ile de France rreth Parisit, baret, restorantet dhe kafenet do të lejohen të hapin tarracat e tyre në natyrë.
Sot u rihapën shkollat fillore dhe ato të mesme e të larta në zonat e gjelbra dhe kolegjet e shkollat e mesme në të gjitha departamentet e klasifikuara jeshile, me grupe prej 15 studentësh maksimalë për klasë. U hapën muzetë, teatrot dhe sallat e performancës me veshjen e një maske të detyrueshme, kurse kinematë do rihapen pas 22 qershorit. U rihapën kampingjet dhe plazhet në zonën gjelbër dhe më 22 qershor do hapen në zonën portokalli. Qasja në plazhe, liqene dhe lumenj do të lejohet plotësisht, tha Z. Philippe. Kampet verore do rifillojnë me 22 qershor. Po sot nisi rifillimi i stërvitjes për sportistët profesionistë, por me “protokoll të rreptë”, dhe u hoqën kufizimet për lëvizjet brenda vendit. Pra është hequr edhe ndalesa për të udhëtuar më larg se 100 kilometra nga shtëpia, kurse “kufijtë me shtetet europiane do të rihapen më 15 qershor”, -tha para tre ditësh kryeministri francez.
Përmes kësaj rihapjeje, Franca synon të rikuperojë humbjet e mëdha në industrinë e turizmit, pasi Franca pret rreth 100 milionë turistë të huaj në vit, ku numrin më të madh të turistëve e zë Parisi, sidomos Kulla Eifel, Katedralja e famshme, Notre Dame De Paris, Muzeu i Luvrit, por edhe monunente të tjera të famshme historike dhe kulturore në kryeqendrën botërore.
PARISI, HAPET PJESËRISHT, JAVËN E ARDHSHME LEHTËSIME TË TJERA
Parisi, kryeqyteti francez dhe kryeqendra e historisë dhe e kulturës botërore ka qenë më i prekuri në Francë nga koronavirusi Covid-19 dhe si i tillë ishte shpallur zonë e kuqe nga Komiteti ndërshtetëror që menxhon pandeminë. Ulja e ndjeshme e viktimave dhe e të prekurva në javën e fundit, ka bërë që edhe kjo qendër e madhe të mos konsiderohet më zonë e kuqe. Kryeministri francez, Edouard Philippe, kur njoftoi të enjten se vendi tij po kalon në fazën e dytë të lehtësimit gradual të masave tha se zona e Parisit, nuk konsiderohet më një “zonë e kuqe” për përhapjen e koronavirusit, kështu që edhe Parisi po bëhet gati për fazën tjetër të lehtësimeve që do të nis nga java e ardhshme, por, për shkak të dendësisë së popullsisë, ai do të ketë më shumë kufizime sesa në qytetet e tjera. “Kryeqyteti tani konsiderohet si një zonë “portokalli” në hartën e rrezikut nga koronavirusi”, tha z. Philippe. Pothuajse të gjitha rajonet e tjera franceze kanë status “të gjelbër”, që do të thotë se kanë lehtësim masash. Në rajonin e Parisit, lehtësimi i kufizimeve do të jetë më i kujdesshëm, tha z. Philippe. Me rregullat e reja, në Paris do të lejohet të operojnë vetëm bar-restorantet me ambiente të jashtme, me një distancë jo më të vogël se 1 metër mes tavolinave. Kjo i ka lënë të pakënaqur pronarët e tyre dhe disa qytetarë.
Lehtësimi i masave në fazën e dytë të rihapjes së Francës synon rimëkëmbjen e ekonomisë franceze të shkatërruar nga kriza e koronavirusit. Për tu ardhur në ndihmë bizneseve të mbyllura nga masat e marra nga qeveria dhe për të ndiihmuar financiarisht punonjësit e mbetur pa punë nga mbyllja e kompanive dhe e bizneseve përgjatë afro tre muajve të izolimit, Qeveria franceze ka akorduar miliarda euro. Të gjithë punonjësit janë paguar, madje për muajt e karantinës u është paguar edhe qeraja e shtëpisë, u është dhënë një bonus energjie deri në 200-300 euro, si dhe u është përgjysmuar pagesa e abonesë mujore të transportit publik. Bizneset e mbyllura apo të goditura nga kriza janë subvecionuar dhe ndihmuar me kredi të buta për të dalë nga kriza. Trajtim të veçantë financiar ka patur në veçanti ndaj bluzave të bardha dhe stafit mjekësor në zonat më të prekura nga koronavirusi. Ky trajtim financiar do të vazhdoj edhe në të ardhmen. Kryeministri deklaroi se stafi që punon në spitalet publike dhe në Shtëpitë e Kujdesit në rajonet më të goditura nga COVID-19 do t’ju paguhet një bonus prej 1.500 €. Gjithashtu z. Philippe ka premtuar rritje të mëtejshme të pagave, si pjesë e reformave të planifikuara të kujdesit shëndetësor.
KUFIJTË DHE EVENIMENTET E MËDHA SPORTIVE MBETEN TË MBYLLURA
Ndonëse Franca sot u fut në fazën e dytë të rihapjes, ku shumica e bizneseve dhe e kompanive të mëdha kanë nisur tashmë lirisht aktivitetin e tyre, evenimentete mëdha sportive nuk do të zhvillohen për momentin. “Shumica e ngjarjeve sportive do të mbeten të pezulluara deri më 21 qershor, kurse kinematë do të hapen më 22 qershor, ndërkohë shteti do të hartojë një plan për hapjen e shkollave të mesme në të gjithë vendin”, tha kreu i qeverisë franceze.
“Sezoni 2019-2020 i sporteve profesionale, veçanërisht ai i futbollit, nuk do të jetë në gjendje të rifillojë,” tha kryeministri francez. “Unë dua të sqaroj se ngjarjet kryesore sportive dhe ngjarje të tjera që mbledhin më shumë se 5.000 pjesëmarrës dhe për këtë arsye janë objekt i një deklarate në prefekturë dhe duhet të jenë të organizuar mirë paraprakisht, nuk do të mund të mbahet para shtatorit “, deklaroi ai para deputetëve.
Bota e sportit profesional në botë ka qenë në ndalesë për shumë javë për shkak të krizës së koronavirusit, por ndonëse në disa shtete të mëdha europiane kanë nisur kampionatet sportive vendase, Franca do të mbetet akoma “pa sport” për një kohë të gjatë, pasi garat sportive janë të ndaluara deri në shtator në Francë. Kjo do të thotë, veçanërisht, që kampionatet franceze (Ligue 1 dhe Ligue 2) nuk do të mund të marrin fund.

SHKARKO APP