Sot teleconferenca e Grupit të Brukselit: Cipras telefonon Merkelin

 

Kreu i këshillit të ekspertëve financiarë, Jorgos Huliarakis, kishte të dielën një bisedë telefonike me përfaqësuesin e Komisionit Europian Deklan Costello. Të dy zyrtarët ranë dakord që të fillojnë menjëherë punimet e Grupit të Brukselit (Brussels Group) dhe të hënën të zhvillohet një telekonferencë. Grupi i Brukselit do të rimblidhet sërish të mërkurën, me synim përshpejtimin e rezultateve.Kryeministri Aleksis Cipras drejtoi të dielën një takim pune ku morën pjesë nënkryetari i qeverisë, Janis Dhragasakis, ministri i financave, Janis Varufaqis, ministri alternat i punëve të jashtme, Euklidhis Cakalotos dhe bashkëpunëtorë të tjerë. Kryeministri Aleksis Cipras ka zhvilluar edhe një bisedë telefonike me kancelaren gjermane, Angela Merkel, sipas burimeve qeveritare, të cilat gjithashtu vunë në dukje se biseda u zhvillua në një klimë pozitive dhe se ishte në vazhdim të takimit të dy liderëve, të enjten e kaluar në Bruksel. Të njëjtat burime thanë se gjatë bisedës, Cipras e Merkel shprehën vullnetin e përbashkët për një komunikim të qëndrueshëm gjatë gjithë kohës së negociatave, me qëllim që të gjendet sa më parë një zgjidhje me dobi reciproke. Kryeministri pati gjithashtu një bisedë telefonike edhe me presidentin e Eurogrupit Jeroen Dijsselbloem.

Pas përfundimit të takimit në Riga u deklaruar se: “Nuk ka plan tjetër, vetëm qëndrimi i Greqisë në euro”

Me qëndrimin e përbashkët – sa i përket Greqisë-, se plan tjetër pëveç qëndrimit në euro nuk ekziston, kanë përfunduar në Riga të Letonisë punimet e takimit të ministrave të financave të eurozonës dhe të BE. “Nuk ka plan B, as plan C, as D dhe as E…”, deklaroi ministri i financave i Francës, Michel Sapin, i pyetur nëse ekzistojnë plane europiane për rastin e largimit të Greqisë nga zona e euros. Në ton të ngjashëm, edhe deklaratat e thuajse gjithë ministrave të eurozonës. “Nuk ekziston plan B”, deklaroi komisioneri i BE për çështjet financiare, Pierre Moscovici. Sa i përket ministrit gjerman të financave, Wolfgang Schauble, i cili u pyet mbi deklaratën e kancelares Merkel se do të bëjë gjithçka që të mbetet Greqia në eurozonë, u përgjigj pozitivisht, duke theksuar ndërkaq se nuk mjafton vetëm vendosmëria e kancelares. Nga ana tjetër, është e sigurt se ministri grek i financave, Janis Varufaqis, u kritikua me forcë nga homologët e vet të zonës së euros, për vonesat që sipas tyre vërehen në negociatat e autoriteteve greke me përfaqësuesit institucionalë të kreditorëve. Ministri grek tha se për vonesat nuk është përgjegjëse Greqia dhe la të kuptohet se deri në një masë, kjo i dedikohet disa fiksimeve dogmatike të disa shteteve të eurozonës.

Kujtim Vani

SHKARKO APP