“S&P” shkurton projeksionet e Kinës Rritja ekonomike do të ngadalësohet si pasojë e virusit
Standard and Poor`s ka shkurtuar në 5% projeksionet për rritjen ekonomike të Kinës për vitin aktual, si rrjedhojë e Koronavirusit. Përpara se të shpërthente epidemia, projeksionet e agjencisë së vlerësimit të kreditit për ekonominë e dytë më të madhe të botës flisnin për një normë rritje në 5.7%. Virusi ka dëmtuar rëndë ekonominë kineze dhe pritet që dëmet të jenë kolosale. Vetëm tregjet, kanë “djegur” në pak javë thuajse 500 miliardë dollarë.
“Pjesa më e madhe e impaktit të Koronavirusit në ekonomi do të regjistrohet në tremujorin e parë të vitit, ndërkohë që rimëkëmbja do të fillojë me vendosmëri vetëm në tremujorin e tretë”-parashikon Standard and Poor`s. Sa i përket vitit të ardhshëm ndërkohë, agjencia rishikon në rritje termat e rritjes, në 6.4%, nga 5.6%.
Një ngadalësim i Kinës sjell turbullira thuajse në çdo cep të globit, si dhe në shumë sektorë, duke filluar që nga nafta. Kina është tregu më i madh konsumator i naftës në botë, dhe gjendja aktuale në vend ka sjellë një rënie të ndjeshme të kërkesës për arin e zi. Edhe humbjet nga turizmi pritet të jenë kolosale. Banka Popullore e Kinës ndërkohë thotë se virusi nuk do të impaktojë në terma afat-gjatë ekonominë e vendit.