Spanja nga e hëna lehtëson edhe disa masa të izolimit për shkak të koronavirusit

Në kryeqytetin e Spanjës, Madrid, të hënën do të lehtësohen disa masa të izolimit, pasi numri i rasteve me koronavirusin e ri po vazhdon të bie, thanë autoritetet shëndetësore. Bareve dhe restoraneve në kryeqytet, do tu lejohet të rihapin terracat. Në kuadër të lehtësimit të masave, do të lejohen edhe tubimet deri në 10 persona. Të enjten, Spanja konfirmoi 48 raste të vdekjeve nga koronavirusi i ri që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Kjo ishte hera e parë, që nga shpërthimi i pandemisë, më 16 mars, që ky vend raporton numër kaq të ulët të vdekjeve. Shifrat kishin arritur kulmin më 2 prill, kur u raportuan 950 të vdekur brenda periudhës 24 orëshe.

Deri më tani në Spanjë janë të regjistruar gjithsej 233,037 raste të infektuarve dhe 27,940 vdekje. Megjithëse numri i të infektuarve dhe vdekjeve po bie, kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, të mërkurën, fitoi mbështetjen e parlamentit për të zgjatur gjendjen e jashtëzakonshme edhe për dy javë të tjera, deri më 6 qershor.

SHKARKO APP