Spanja “shërohet” nga COVID-19, për të dytën ditë radhazi shënohet vetëm një viktimë në 24 orë
Spanja duket se po shërohet nga koronavirusi. Autoritetet shëndetësore në Spanjë kanë raportuar për të dytën ditë radhazi vetëm një të vdekur nga COVID-19. Deri tani numri i të vdekurve në Spanjë nga koronavirusi ka shkuar në 27,119.
Po ashtu edhe numri i rasteve të reja është ulur. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 182 persona të infektuar me koronavirus, 49 më pak se një ditë më parë, duke e çuar në 237,906 numrin total.
Spanja kërkoi nga partnerët e Bashkimit Evropian që të vendosin rregulla të përbashkëta për rihapjen e kufijve dhe për rikthimin e lëvizjes së lirë në zonën e ashtuquajtur Schengen.
Vendet e BE-së, por edhe të tjerat, i kanë mbyllur kufijtë që prej mesit të muajit mars, për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Me rënien e numrit të rasteve të reja, vendet veç e veç kanë nisur lehtësimin e masave kufizuese, përshirë edhe rihapjen e kufijve.
“Ne duhet të punojmë me partnerët tanë evropianë për të përcaktuar rregullat e përbashkëta që do të na lejojnë rikthimin e lëvizjes së lirë në territorin evropian”, tha ministrja e Jashtme e Spanjës, Arancha Gonzalez pak ditë më parë.
“Edhe pse vendet e BE-së kanë caktuar data të ndryshme për rihapjen e kufijve, duhet të ketë parime dhe rregulla të përbashkëta në të gjithë zonën Schengen”, shtoi ajo.