Stema e Maqedonisë, mërgata shqiptare jep propozimin e saj
për stemën e Maqedonisë. Kjo, sipas tyre, do të paraqiste dy etnitë e këtij shteti. Mërgata e shqiptarëve të Maqedonisë në Zvicër (MSHM) propozon një formë tjetër të stemës për Maqedoninë. Duke u nisur nga fakti se në disa kantone të Zvicrës ka këso formash të stemave të përziera, atëherë, që të gjithë të jenë të kënaqur në Maqedoni, mërgata e shqiptarëve të Maqedonisë ju propozon institucioneve që merren me këtë problematikë stemën, në foto! Kurora në këtë stemë do të ishte shumë më e bukur nëse është komplet e kuqe, mirëpo edhe në këtë formë për ne shqiptarët do të ishte e pranueshme, po qe se maqedonasit e pranojnë që gjysma e stemës (pjesa e djathtë) të jetë simboli i shqiptarëve.
Nëse kjo formë është e papranueshme për maqedonasit, atëherë, kështu si është e propozuar stema e re e Maqedonisë për mërgimtarët shqiptarë të Maqedonisë në Zvicër është e papranueshme, thuhet në propozimin e MSHM. Stema e shtetit maqedonas është bërë problem i madh për shkak të disa ngjashmërive që ajo ka. Qeveria e këtij ka votuar patra disa ditës njëzëri propozimin për stemën e re shtetërore, që duhet ta zëvendësojë stemën socialiste e cila është aktualisht në fuqi. Simboli kryesor i stemës së re është një luan i kuq i ngritur në këmbë, në prapavijë të verdhë. Mbi të qëndron një mburojë në formë kalaje me 5 shtylla, që sipas arsyetimit të Qeverisë simbolizon rregullimin republikan të shtetit. Propozimin e kanë votuar edhe ministrat e BDI-së, për shkak se sipas tyre, stema përmban edhe elemente shqiptare, dhe është shumë e ngjashme me stemën e Durrësit dhe stema të ndryshme të principatave shqiptare të mesjetës.
“Sipas të dhënave që ne posedojmë si Ministri, ka elemente që në njëfarë mënyre kanë të bëjnë me kulturat e të gjithë qytetarëve në Maqedoni, elemente të cilat në njëfarë mënyre po bashkojnë kulturat edhe nga aspekti historik… Përmbajtja e stemës simbolizon, pasqyron elemente që në aspektin historik kanë qenë prezent në shumë qytete feudale shqiptare”, ka thënë Adnan Jashari, Ministër i Drejtësisë, raporton Alsat M. Pamja e re e stemës ka nxitur reagime të ashpra në rrjetet sociale, sidomos mes shqiptarëve. Ata reagojnë për ngjashmërinë e stemës shtetërore më atë të VMRO DPMNE-së, e cila gjithashtu përmban një luan të ngritur në dy këmbë. Por zv/kryeministri nga VMRO DPMNE-ja Vlladimir Peshevski thotë se stema e re është gjithëpërfshirëse dhe u miratua me konsensus në Qeveri. “Simbolet kombëtare që kishte Maqedonia ishin të lidhura me mënyrat e rregullimit shoqëror. Mendoj se është më mirë për çdo shtet që simbolet kombëtare të mos lidhen me ngjarjet aktuale, por në vlera të përhershme, përkatësisht në heraldikën. Shumë mirë që në seancën qeveritare u arrit konsensus për një propozim që do të ketë kontiunitet”, deklaroi Peshevski. Ministri i Drejtësisë, ka theksuar se propozimi nuk është final dhe do t’i nënshtrohet debatit publik dhe vërejtjeve të qytetarëve.
“Do të ketë debat publik ku do të inkuadrohen të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Shpresoj se idetë, propozimet, sugjerimet brenda kësaj faze gjatë debatit publik, ne si Ministri do i analizojmë dhe varësisht nga sugjerimet, vërejtjet do t’i propozojmë Qeverisë dhe besoj se do t’ia arrijmë qëllimit që Republika e Maqedonisë të ketë një stemë që do të ketë elemente me të cilat do të përjashtohen elementet e së kaluarës”, është shprehur Jashari. Për të ndryshuar stemën, duhet ndryshuar edhe Kushtetuta. Jo zyrtarisht tashmë është arritur marrëveshje mes partnerëve të koalicionit që BDI-ja të sigurojë votat e nevojshme për pamjen e re të stemës. Për ndryshimin e Kushtetutës duhet shumicë e dyfishtë, respektivisht 2/3 nga numri i përgjithshëm i deputetëve dhe 2/3 nga numri i deputetëve që i përkasin bashkësive etnike jo-shumicë, ose ndryshe i njohur si shumicë Badenteri.