Studentët protestë masive para godinës të Qeverisë së Maqedonisë

Mijëra studentë të mbështetur nga profesorë dhe qytetarë para godinës të Qeverisë së Maqedonisë shprehën pakënaqësinë dhe mospajtimin në lidhje me vendimin e qeverisë për provimin shtetëror duke i thënë jo testimit ektern me brohoritjet e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetar i Unionit të Studentëve Shqiptar, Daim Luçi, duke theksuar se me prezencën e tyre para godinës të Qeverisë së Maqedonisë janë dëshmitarë se pushteti nuk guxon të politizojë arsimin tha se: “Sot këtu studentë nga gjithë Maqedonia po i themi jo manipulimeve me studentët, jo nënçmimit të krenarisë sonë. Të jemi edhe ne krenar që krahas shumë presioneve dhe kërcënimeve, sot në mesin tonë kemi edhe studentë nga Universiteti Shtetëror i Tetovës, ku shihet se edhe ne studentë nga ky universitet po e marrim fatin mbi duart tona, seriozitetin dhe përgjegjësitë tona që ne jemi ata që duhet të vendosim për fatin tonë. Jemi këtu për të treguar se pa liri nuk ka drejtësi”.

Profesoresha në Fakultetin Filologjik në Shkup, Iskra Panovska-Dimkova para protestuesve tha: “Të gjithë jemi këtu dhe të gjithë jemi me ju. Ju falënderojmë në emër të Këshillit të Profesorëve që nuk u frikësuat dhe dolët këtu për të protestuar dhe na mundësuat edhe neve që përfundimisht të shohim shkëndijë në sytë e tuaj. Do të jemi këtu për të ju mbështetur deri në fund”, u shpreh Panovska-Dimkova.

Poashtu u lexua një mesazh nga Komisioni Evropian për arsim, kulturë, rini dhe sport nga drejtori  i përgjithshëm i Arsimit dhe Kulturës në Bashkimin Evropian, në të cilën kritikohej vendimi i Qeverisë së Maqedonisë për testimin ekstern dhe për injorimin e zërit të studentëve.

SHKARKO APP