Studimi britanik: Kombinimi e dozave të vaksinave të mbron më shumë nga COVID-19
Kombinimi i dy dozave të ndryshme të vaksinave kundër Covid-19 ofron mbrojtje më të mirë kundër pandemisë, thuhet në një studim në Mbretëri të Bashkuar. Studimi ka analizuar efikasitetin e marrjes së dy dozave të vaksinës së kompanive Pfizer/BioNTech, dy të AstraZenecas në të gjithë Britaninë.
Të gjitha kombinimet kanë funksionuar për sistemin imunitar dhe ekspertët kanë deklaruar se këto njohuri mund të ofrojnë fleksibilitet për fushatën e vaksinimit. Zëvendësshefi britanik për mjekësi, Jonathan Van-Tam, deklaroi se studimi mund të jetë i dobishëm për të ardhmen.
“Përzierja e dozave mund të na ofrojë fleksibilitet më të madh për programin e përforcimit të vaksinave, ashtu sikurse për shtetet që mund të përballen me mungesë të dozave”.
Në përfundim të studimit në të cilin u përfshinë 850 vullnetarë, në rastin kur personi kishte marrë dozën e parë të vakinës Pfizer dhe të dytin AstraZeneca, niveli i anti-trupave të krijuar ishte disa herë më i lartë se thjeshtë me njërën vaksinë.
Disa shtete veçse kanë nisur të përziejnë dozat. Spanja dhe Gjermania janë duke ofruar vaksina të kompanive Pfizer apo Moderna, si doza të dyta për të rinjtë, që kanë marrë një dozë të vaksinës së kompanisë AstraZeneca, pas shqetësimeve për mpiksje gjaku.
Hulumtuesi kryesor, profesori Matthew Snape, deklaroi se gjetjet nuk kanë minuar politikën britanike për dhënie të vaksinës së njëjtë.
“Ne tashmë e dimë se dhënia e dy dozave të njëjta, përbën hap efektiv kundër sëmurjes së rëndë dhe hospitalizimit, duke përfshirë edhe variantin Delta, kur dozat merren prej tetë deri në 12 javë hapësirë”.
Ai ka thënë se rezultatet e reja kanë treguar se periudha kohore e marrjes së dozave të ndryshme ka qenë e rëndësishme, pasi intervali prej katër javësh nuk ka qenë më i favorshëm sesa ai prej tetë deri në 12 javë. Testimet e dy vaksinave të ndryshme, në interval kohor prej 12 javësh, do të publikohen muajin e ardhshëm.