Studimi: Ja cilat janë 4 format e “Covid-it të zgjatur në kohë”
Shërimi nga Covid-19, nuk është gjithmonë aq i lehtë sa rezultati “negativ” i një tamponi. Disa njerëz, madje edhe që kanë forma të lehta të infeksionit, vazhdojnë të përjetojnë simptoma të dobësisë fizike dhe jo vetëm, për shumë javë apo edhe muaj pasi sëmundja ka ikur zyrtarisht.
Këto “pasoja” nga koronavirusi i ri janë aq të larmishme dhe të ndryshme, sa që i shpëtojnë një përkufizimi të vetëm mjekësor. Tani, duke përdorur të dhënat dhe dëshmitë e mijëra pacientëve që e gjejnë veten në këtë gjendje, Instituti Kombëtar Britanik për Kërkime Shëndetësore ( NIHR) ka propozuar një klasifikim më të saktë të formave të ndryshme të “Covid-it të zgjatur në kohë”, që do të ndihmojë në fokusimin mbi panoramën klinike të atyre që po e përjetojnë këtë gjendje.
Sipas institutit britanik, nën përkufizimin e “Covid-it të zgjatur në kohë”, mund të fshihen në fakt 4 sindroma të ndryshme:dëmtimi i përhershëm i disa organeve të prekura nga infeksioni i koronavirusit të ri; sindromi i post-terapisë intensive, një sindromë e lodhjes post-virale, dhe qëndrueshmëria e simptomave të vërteta të Covid-19.
Ajo që shqetëson pacientët e shëruar vetëm në letër nga ky virus, mund të jenë dëmtime në disa organe, si mushkëritë, zemra ose truri; ose pasojat fizike, njohëse dhe psikologjike të përballjes me qëndrimin për javë me radhë lidhur pas ventilatorit, duke filluar me dobësinë fizike, atrofizimin e muskujve, apo çrregullimin e stresit post-traumatik.
Gjendja e tyre e keqe shëndetësore, mund të lidhet gjithashtu me lodhjen, që shpesh shoqërohet me infeksione virale (pasojë e një reagimi imunitar të tepruar), apo në varësi të simptomave – siç janë vështirësi në frymëmarrje – të cilat mund të jenë qetësuar, por nuk janë zhdukur plotësisht.
Në studim thuhet se një pacient me një “Covid të zgjatur në kohë”, mund të përjetojë gjithashtu 2 sindroma të ndryshme në të njëjtën kohë, dhe se ato mund të luhaten sa i përket ashpërsisë së tyre (duke u zvogëluar derisa gati zhduken, por që më pas përsëriten) ose duke përfshirë kohë pas kohe organe të ndryshme (mushkëria, zemra, lëkura, truri, muskujt, ligamentet, veshkat, sistemi gastrointestinal).
Një nga përfundimet e raportit, është pikërisht fakti që Covid-19 nuk është një sëmundje lineare që ka gjithmonë një fillim, një fazë akute prej 2 javësh, dhe një fund, por një gjendje që mund të ketë si model një lloj cikli si ai i përshkruar më lart.
Raporti “Të jetosh me Covid-19”, u përpilua pasi studioi dhjetëra dëshmi të pacientëve me “Covid të zgjatur në kohë”, dhe u fokusua më shumë në përvojën e 14 pacientëve të regjistruar në grupin më të madh të pacientëve me këtë sindromë në Facebook, që ka më shumë se 20.000 anëtarë.
Studimet e fundit sugjerojnë se një pjesë e mirë e pacientëve me Covid-19, vazhdojnë të përjetojnë një ose më shumë simptoma edhe disa muaj pas shërimit. Një hulumtim paraprak në Korenë e Jugut, zbuloi se 91.1 për qind e 65 njerëzve të shëruar nga Covid-19, vuanin nga të paktën një efekt afatgjatë, kryesisht lodhje ose mungesë përqendrimi.
Një studim tjetër i 120 pacientëve në Francë, tregoi se 55 për qind e tyre, ndjeheshin ende të lodhur edhe pas 100 ditëve nga shtrimi në spital, dhe 42 për qind kishin vështirësi në frymëmarrje, 34 për qind, humbje të kujtesës, 28 për qind kishin probleme me përqendrimin, dhe 30 për qind me gjumin. / Focus – Bota.al