Sulmi në Stamboll, arrestohen 36 persona të etnisë Ujgure
Autoritetet turke kanë arrestuar disa persona të etnisë Ujgure, të cilët besohet se kanë lidhje me terroristin që sulmoi një klub nate në qytetin e Stambollit gjatë mbrëmjes së ndërrimit të viteve, ku si pasojë, 39 persona humbën jetën ndërkohë që mbi 50 të tjerë mbetën të plagosur.
Aktualisht në pranga kanë përfunduar 36 individë me prejardhje ujgure dhe zyrtarët shprehen se ata po merren në pyetje për të zbuluar më shumë detaje rreth ngjarjes së rëndë që tronditi mbarë opinionin botëror në ditën e parë të këtij viti.
Për mediat është prononcuar edhe zv/kryeministri i Turqisë, Veisi Kainak, i cili theksoi se hetuesit janë shumë pranë identifikimit të autorit që dyshohet se është gjithashtu me prejardhje ujgure.
Një komunkatë të ndryshme ka patur ministria e Jashtme turke, sipas së cilës, autori është identifikuar dhe pritet vetëm vënia e tij në pranga.
Ujgurët janë një grup etnik minoritar turk që jetojnë kryesisht në vendet e Azisë Qendrore dhe Lindore, por të përhapur edhe në vende të tjera përfshirë Turqinë.
Aktualisht, situata vijon të mbartë paqartësi. Në media janë publikuar disa foto në të cilat dyshohet se është personi përgjegjës për sulmin tragjik, ndonëse identiteti i tij mbetet mister.
Ndërkohë, militantët e Shtetit Islamik e kanë marrë përsipër sulmin duke u shprehur se gjithçka është organizuar prej tyre në shenjë kundërpërgjigjeje ndaj përfshirjes së Turqisë në aleancën ndërkombëtare anti-ISIS që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Edhe zyrtarët e Ankarasë po e trajtojnë sulmin si një akt terrorist, por për të patur një pasqyrim sa më të saktë të ngjarjes duhet të pritet deri në përfundimin zyrtar të procesit të investigimit.
KOHA JONË SONDAZH

