Sulmi rus në centralin bërthamor, sa i rrezikshëm është? Flasin ekspertët
Bombardimet ruse goditën në mesnatë centralin më të madh bërthamor të Europës, duke shkaktuar një zjarr dhe duke rritur frikën për një fatkeqësi që mund të prekë të gjithë Europën qendrore për dekada të tëra.
Shqetësimet u zbehën pasi autoritetet ukrainase njoftuan se zjarri ishte shuar dhe ndonëse kishte dëmtime në ndarjen e reaktorit, siguria e njësisë nuk u ndikua. Një shqetësim i madh, i ngritur nga Rregullatori shtetëror bërthamor i Ukrainës, është se nëse luftimet ndërpresin furnizimin me energji të centralit bërthamor, ai do të detyrohet të përdorë gjeneratorë me naftë më pak të besueshëm, për të siguruar energji emergjente për sistemet operative të ftohjes.
Një dështim i këtyre sistemeve mund të çojë në një fatkeqësi të ngjashme me atë të uzinës japoneze të Fukushimës, kur një tërmet masiv dhe cunami në vitin 2011 shkatërruan sistemet e ftohjes, duke shkaktuar shkrirje në tre reaktorë. Pasoja e kësaj, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, do të ishte shumë e përhapur dhe e tmerrshme.
Çfarë mund të ndodhte?
”Reaktori që u godit ishte jashtë funksionit (offline), por përmban karburant bërthamor shumë radioaktiv. Katër nga gjashtë reaktorët e tjerë tani janë hequr nga funksioni, duke e lënë në funksion vetëm një. Reaktorët në termocentral kanë kupola të trasha prej betoni, të cilat do t’i kishin mbrojtur ata nga zjarri i jashtëm nga tanket dhe artileria”, tha Jon Wolfsthal, i cili shërbeu gjatë administratës së presidentit amerikan, Barack Obama, si drejtor i lartë për kontrollin e armëve në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
”Problemi më i madh është furnizimi me energji elektrike i termocentralit”, tha Najmedin Meshkati, një profesor inxhinierie në Universitetin e Kalifornisë Jugore, i cili ka studiuar fatkeqësinë e Çernobilit dhe atë të Fukushimës, duke ngritur një shqetësim të shprehur edhe nga Wolfsthal dhe të tjerët.
Humbja e energjisë mund ta detyrojë centralin të mbështetet në gjeneratorët e emergjencës me naftë, të cilët nuk janë të besueshëm dhe mund të dështojnë ose të mbeten pa karburant, duke shkaktuar një ndërprerje të punës së stacionit, që do të ndalonte edhe qarkullimin e ujit të nevojshëm për të ftohur rezervuarin e karburantit të shpenzuar.
David Fletcher, profesor i Universitetit të Sidneit në Shkollën e tij të Inxhinierisë Kimike dhe Biomolekulare, vuri në dukje se mbyllja e reaktorëve nuk do të ndihmonte nëse sistemi i ftohjes dështon. ”Shqetësimi i vërtetë nuk është një shpërthim katastrofik siç ndodhi në Çernobil, por dëmtimi i sistemit të ftohjes, i cili kërkohet edhe kur reaktori është i mbyllur. Ishte ky lloj dëmtimi që çoi në aksidentin e Fukushimës”.