Sulmohet banka e super të pasurve
Një krim i përmasave të skandalit financiar “Panama Pejpwrs” që tronditi botën tri vite më parë ka prekur një bankë ‘off-shore’ në ishujt britanikë. Hakerët kanë publikuar emrat dhe llogaritë bankare të oligarkëve dhe kompanive nëpër botë që fshehin pasuritë dhe shmangin taksat në vendet e tyre.
Një bankë e përdorur për pastrimin e parave nga më të pasurit e botës ka rënë pre e sulmit kibernetik.
Bëhet fjalë për degën e Bankës Nacionale të Kajmanit në ishullin britanik të Manit, e specializuar në transfertat e fshehta bankare përmes shmangies së taksave.
Emrat dhe bilancet financiare të rreth 1,500 klientëve individë, kompanive dhe fondeve nga e gjithë bota janë publikuar në internet.
Përpos vetë ishullit të vogël të Manit që është një parajsë fiskale, shumë prej llogarive janë regjistruar në Qipro, Britani, Ishujt Kajman dhe Karaibet.
Mësohet se sistemet informatike të bankës ishin komprometuar prej vitit 2016.
Gjatë kësaj periudhe hakerët kishin mundur të vidhnin dokumente dhe korrespondencat e brendshme të bankës, dhe qindra mijë dollarë.
Rreth 600 mijë emaile dhe arkiva e plotë e të dhënave po shpërndahet nga faqja simotër e Wikileaks-it.
Në manifestin e tyre, piratët e internetit të njohur me pseudonimin “Phineas Fisher”, thanë se sulmi ndaj bankës ishte motivuar nga interesi publik dhe për të denoncuar metodat që më të pasurit përdorin për të zgjeruar hendekun ekonomik me të varfërit në botë.
Banka Nacionale e Kajmanit ka konfirmuar piratimin e të dhënave dhe po bashkëpunon me policinë për hetimin e autorëve.